E ardhmja e Rej Manaj do jetë te Spezia në Seria A. Ekipi italian ka arritur akordin me sulmuesin shqiptar, i cili nuk ka bindur stafin e Barcelonës për të marrë minuta në sezonin e ri. Performanca në ndeshjet përgatitore me katalanasit rriti interesin për Manaj, me Spezian që duket se ka fituar duelin në distancë me ekipet e tjera të interesuara.

Futbollisti që pak ditë më parë u regjistrua në listën e Barcelonës në La Liga pritet të bashkohet me skuadrën e re pas sfidave të kombëtares shqiptare ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos. 24-vjeçari me një eksperiencë të gjatë do jetë një vlerë e shtuar në radhët e ekipit italian.

Për Manaj është një rikthim në Seria A italiane, pasi më parë ka luajtur me Interin, për të kaluar më pas te Granada në Spanjë, Albasete dhe më pas Barcelona B. Formula e kalimit të Manaj te Spezia mbetet ende për t’u zgjidhur, teksa për kartonin e tij, ekipi italian besohet të paguajë rreth 2 milionë Euro. Sulmuesi lushnjar do jetë një alternativë e re për trajnerin Thiago Mota, me skuadrën që mban aktualisht në vendin e 15-të.

Klan News