Shameti-Pejic në pole-position

Mirel Josa përfundon shumë shpejt aventurën me Kukësin. Klubi verilindor njoftoi se tekniku kryeqytetas nuk do të vijojë të jetë trajner, pas një sezoni zhgënjyes të verilindorëve, më i dobëti qëkur janë në Superligë, por kjo jo vetëm për faj të Josës. “

Futboll Klub Kukësi njofton se Mirel Josa nuk është më trajner i skuadrës sonë. Pas përfundimit të sezonit, trajneri Josa ka pasur një bisedë me drejtuesit e klubit dhe më pas është vendosur që të ndërpritet bashkëpunimi.  Kukësi e falënderon trajnerin Josa për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në karrierën e tij!”. Ky ishte publikimi nga faqja zyrtare e klubit kuksian.

Nga burime brenda klubit, mësohet se brenda kësaj jave do të ketë një mbledhje në klub, ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti i nderit Safet Gjici. Ndërkohë, është zbuluar edhe kandidati i parë për të marrë frenat e ekipit verilindor. Bëhet fjalë për Ylli Shametin, ish-kapitenin e Kukësit, i cili ishte pjesë e ekipit në fitimin e titullit kampion dhe fitimit të Kupës së Shqipërisë.

Ndërsa mendohet se vendin e lënë bosh të drejtorit sportiv Nderim Nexhipi ta marrë Pero Pejic. Edhe ky një njohje e vjetër e ekipit verilindor me golat e shumtë që ka shënuar në sezonet e fundit që ishte pjesë e Superligës. Një tjetër pistë është ajo e trajnerit të huaj, ku në tratativa është një kroat dhe një slloven.

Klan News