Rikonstruktohen 12 shkolla të kryeqytetit (8 korrik 2000)


Rikonstruktohen 12 shkolla të kryeqytetit (8 korrik 2000)

10:01 08/07/2000

12 shkolla në Tiranë, ky vit i ri shkollor do t’i gjejë me shkolla të rindërtuara. Kryeministri Meta dhe ministri i Arsimit Ruka, sot kanë inspektuar disa nga këto shkollat të cilat kanë ndërruar tërësisht pamje. Këtu jemi në shkollën “Vasil Shanto”. Ambientet e saj të brendshme dhe të jashtme tashmë do të kenë tjetër fytyrë. Projekti 5 vjeçar “Tirana 2000” ka marrë përsipër që me 6 milion dollarë gjysmat e së cilave fonde të qeverisë shqiptare dhe gjysma tjetër e fondacioneve, të rindërtohen shkollat 8 vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit.

“Ky projekt është një ndër projektet më të suksesshme i cili kap një shifër rreth 6 milion dollarë i financuar në mënyrë të përbashkët 50% me 50%, qeveria shqiptare dhe fondacioni “Soros”, praktikisht projekti për zhvillimin e arsimit, jo vetëm që këto shkolla janë rikonstruktuar në mënyrë të shkëlqyer dhe janë në standartet e gjithë shkollave europiane, por ndoshta janë dhe mbi nivelin e këtyre shkollave.”

Ndërsa kjo është “Shkolla e Kuqe” e cila është shndërruar në shkollën më të bukur në kryeqytet, por pikërisht këtu ka një problem. Roja e shkollës në momentin e ardhjes së delegacionit qeveritar kishte shkuar për t’u freskuar në një lokal duke lënë miqtë pas derës. Një zinxhir i trashë me të cilin ishte mbyllur dera e shkollës. Ministri Ruka u detyrua që t’ia tregonte Metës bukurinë e shkollës nga jashtë duke u nisur pastaj në një shkollë tjetër.

Nuk ishte e thënë që peripecitë e këtij inspektimi të mbaronin këtu. Për shkak të mosnjohjes mirë të zonës, policët dhe shoqëruesit e futën Metën në një rrugë gabim. Pas disa kilometrave rrugë të pluhrosur, delegacioni arriti në shkollën e re e cila ishte mjaft e bukur. Problemi dy vjeçar që pengon mosfunksioninim e kësaj shkolle për shkak të një shtylle tensioni të lartë, mesa duket do të zgjidhet këtë vit pasi rruga premtoi hapjen e saj me 15 shtator.

Kryeministri Meta u shpreh entuziast për të ardhmen e arsimit shqitptar:

“Natyrisht se rruga është e mundimshme për arsye të shumë fenomeneve të tranzicionit, por kam besim se gjithçka ka filluar të ndryshojë dhe përsa i takon rrugëve, shkollave, spitaleve dhe natyrisht që jo gjithçka mund të ndyshojë brenda ditës, por tashmë jam i bindur që po ecet me ritmin e duhur në mënyrë që fryma e ndryshimit të përfshijë gjithë sektorët në mënyrë që këto ambiente kaq të bukura të kenë edhe rrugët e duhura për të ardhur këtu.“/tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj





Të ngjashme