Brooklyn Nets mposht Phoenix dhe merr kreun, shkëlqen Curry

Rokadë në konferencën e Lindjes. Brooklyn Nets mori kreun e renditjes pas fitores 128-119 ndaj Phoenix Suns, një përballje mes dy ekipesh pretendente në konferencat përkatëse. Më saktë vendet e dyta u ndeshën së bashku. Një sfidë me rivalitet, ku vendasit u shkëputën në fund falë 34 pikëve e 12 asist të Kyrie Irving.

Mirë u paraqit edhe Kevin Durant, që u rikthye në ndeshje pas dëmtimit të 10 ditëve më parë. Ai e nisi takimin nga stoli, por realizoi 33 pikë në 28 minuta lojë.

Befason Atlanta Hawks, që mundi 111-104 Milwaukee Bucks, sfidë ku u dallua Bogdanovic, me 32 pikë. Për Bucks, më i miri ishte Antetokounmpo, me 31 pikë e 14 rebound, por që mbetën për statistikë. Rikthehet te fitorja ekipi i Golden State, që mundi 117- 113 Sacramento King.

Curry bëri detyrën, duke realizuar 37 pikë. Jashtë fushe fitoi Memphis Grizlies, që mundi 120-113 Portland Trail Blazers, me Morant autor i 28 pikëve. Sezoni i rregullt mbyllet më 12 maj, shumë skuadra ende janë në lojë për objektivat.

Klan News