Gara në distancë e dy yjeve. Nga dy gola në ndeshjet e fundit

Prej 2 sezonesh luajnë në kampionate të ndryshme, por rivaliteti Messi-Ronaldo vijon. Luzitani i është përgjigjur me të njëjtën monedhë yllit të Barcelonës, duke shënuar dopietë golash në fitoren 2-1 ndaj Lazios. Një fitore që afron akoma më shumë bardhezinjtë me titullin, pasi kur kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur, distanca me Interin ndjekës ka shkuar në 8 pikë. Pavarësisht rasteve të shumta, duhej të vinte minuta e 51 që kryesfida e javës së 34 të zhbllokohej.

Ronaldo shndërroi në gol një penallti, ku përballë Strakoshës e kishte fare të lehta ta depozitonte topin në fundin e rrjetës. Vetëm pak minuta më pas, Ronaldo shënon sërish, këtë herë pas një kundërsulmi vrasës, me Dybala, që shërbeu për të dhe me portën e boshatisur dërgoi shifrat në 2-0. Gol që ngjalli reagimin e kryeqytetasve, ku sulmet e njëpasnjëshme u konkretizuan me gol vetëm 7 minuta para fundit.

Një penallti e fituar nga Imobile u shndërrua në gol nga sulmuesi italian që tashmë sheh t’i kërcënohet trofeu për Këpucën e Artë të kampionatit, garë që e udhëheq së bashku me Ronaldon në kuotën e 30 golave. Me këtë dopietë, Ronaldo futet në garë edhe për Këpucën e Artë të Europës. Lewandowski numëron 4 realizime më shumë se ai, por kampionati gjerman është mbyllur dhe fati flet në krahun e Ronaldos, i cili në katër ndeshjet e radhës duhet të shënojë minimalisht 5 gola për të qenë ai sulmuesi më i mirë i këtij sezoni në Europë.

Klan Plus