ISHMT: Ishte i paregjistruar dhe i pacertifikuar

Ashensori që mbrëmjen së hënës ra nga kati i 5 në katin 0 në pallatin nr. 67 në zonën e Unazës së Re në Tiranë dhe ku u lënduan dy persona ka pësuar defekt për shkak të tejkalimit të kapacitetit, pasi në të kishin hipur 5 persona nga 3 që ishte e lejuar.

Në këtë konstatim ka mbërritur Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas verifikimeve të kryera në vendngjarje. Këtë e konfirmojnë edhe banorët e pallatit të cilët shprehen se shpesh ai punonte tej kapacitetit të lejuar.

“Jetoj këtu, para dy ditësh na u tha mos e përdorni ashensorin deri sa të rregullohet”.

Ashensori kishte pësuar defekt edhe dy ditë më parë, ndaj përdorimi i tij ishte ndaluar përkohësisht.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së tregut njoftoi se ashensori nuk ishte i regjistruar, ndonëse ka qenë funksional që prej vitit 2012.

Gjithashtu ky inspektorat bëri të ditur se për këtë ashensor nuk është kryer ndonjëherë vlerësimi i konformitetit nga një organ i miratuar, ndaj ai realisht konsiderohet i pasigurt dhe nuk lejohet të vihet në përdorim.

Për këto arsye inspektorati ka vendosur shiritat e verdhë duke ndaluar përdorimin e tij pasi cilësohet i rrezikshëm.

Ashensori ra të hënën në mbrëmje dhe nga rrëzimi i tij u lëndua një çift që ndodhej brenda në ato momente, të cilët pasi kanë marrë mjekimin në spital, janë larguar në banesë, ndërsa 3 të tjerët nuk kanë pësuar dëmtime.

Nuk është hera e parë që ashensorët në Shqipëri pësojnë defekt apo nuk kalojnë filtrin e kolaudimit, duke përbërë rrezik për qytetarët.

Tv Klan