Një helikopter ushtarak rus u rrëzua pranë një fushe aviacioni në rajonin e largët lindor të Chukotka, duke i marrë jetën 4 personave që ndodheshin në bord.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Independent“, Ministria e Mbrojtjes ruse tha se rrëzimi i helikopterit Mi-8 mund të ketë ardhur si pasojë e një defekti teknik.

Në bordin e helikopterit ndodheshin 3 pjesëtarë të ekuipazhit dhe një teknik.

Ky është aksidenti i dytë fatal me helikopter Mi-8 që ndodh në një hark kohor prej 2 javësh. Më 19 Maj, një tjetër Mi-8 u rrëzua pranë qytezës së Klin, 90 kilometra larg Moskës, duke i marrë jetën 3 anëtarëve të ekuipazhit.

Edhe në rastin në fjalë, zyrtarët rusë thanë se me gjasë aksidenti ndodhi për shkak të një defekti teknik.

Mi-8 janë helikopterë që përdoren për qëllime të ndryshme, të dizenjuar në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe që sot prodhohen nga Rusia. Ky model është një prej helikopterëve më të zakonshëm të Forcave të Armatosura Ruse. /tvklan.al