Dërgesat e emigrantëve në Shqipëri për 3 muajt e parë të këtij viti kapën shifrën e 150 milionë eurove, duke vijuar trendin rritës për të 3-tin vit rresht.

Në të njëjtin tremujor të një viti më parë dërgesat e tyre ishin në po këto nivele, 149 milion euro, në kontrast me periudhat e tjera të viteve 2013-2016, ku vlera e remitancave ishte 20% më e ulët se sot.

Profesori i ekonomisë Selami Xhepa thotë se kjo dukuri lidhet me dy faktorë të rëndësishëm: valën e re të emigrimit, ku shumë shqiptarë janë larguar për të punuar jashtë e për të ndihmuar familjet e tyre këtu, dhe përmirësimin e ekonomive në vendet fqinjë në këto vite, të cilat më parë u prekën nga kriza ekonomike.

Në vitin 2018-ë fluksi i të ardhurave nga emigrantët arriti në 670 milionë euro, një vlerë 40% më e ulët se ajo e investimeve të huaja direkte. Ekspertët thonë se shifra të tilla të cilat vijnë për të ndihmuar ekonominë vendase, duhet të ishin orientuar më mirë në ekonomi, në mënyrë që të mos përdoren vetëm për mbijetesë, por edhe për të nxitur iniciativa biznesesh të cilat reduktojnë papunësinë.

Vitin e shkuar emigruan 38 mijë e 700 shqiptarë, ndërsa në 2017-ën kjo shifër rezultoi në 40 mijë.

Tv Klan