Humb jetën nga Covid 22-vjeçarja
Koronavirusi vijon të shënojë viktima në mosha të reja. Një 22-vjeçare ka ndërruar jetë këtë të shtunë. Burime zyrtare thanë për televizionin Klan se e reja vuante nga sëmundje autoimune dhe prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë.
Rastet e personave të prekur nga koronavirusi që kanë nevojë për shtrim në spital kane ardhur në rritje.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë në 4 spitalet Covid në kryeqytet dhe 3 pavijonet Covid në spitalet rajonale të Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit po trajtohen 638 pacientë.
Spitali Covid 1 dhe 2 në kryeqytet kanë peshën më të madhe të pacientëve.
Nga 638 të shtruarit, 543 po marrin shërbim në 4 spitalet Covid në Tiranë kur totali i shtretërve është 600, ndërsa 60 po trajtohen në Durrës, 17 në Shkodër dhe 18 në Elbasan.
Spitali Rajonal i Elbasanit është i vetmi që vijon të shënojë rënie të numrit të pacienteve të shtruar në 24 orët e fundit.
Në total, 95 pacientë janë në spitalet rajonale kurse kapaciteti i tyre mbajtës është 241 shtretër.
Tv Klan