Zjarret gjatë verës, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi: Gatishmëria, jo aty ku duhet

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në Komisionin e Sigurisë, lajmëroi se do të ketë rritje me 30% të pagave në radhët e ushtarakëve gjatë vitit të ardhshëm. Peleshi tha se edukimi ushtarak është prioritet duke theksuar se Shqipëria do të ndjekë modelin e SHBA.

“Ne kemi parashikuar rritjen prej 30% të pagesës së Forcave të Armatosura. Paga, duke filluar nga ushtari i thjeshtë e deri te gjenerali, bëhet dinjitoze, e krahasueshme, madje e tejkalueshme me vende të tjera me të cilat krahasohemi për sa i përket stadit të zhvillimit ekonomik”.

Nga ana tjetër ministri i Mbrojtjes u shpreh se për situatën e zjarreve nuk ishte në nivelin që duhej, ndërsa shtoi se kishin pasur probleme edhe me operatorët e mirëmbajtjes.

“Duhet ta pranojmë që nuk jemi aty ku duhet për sa i përket gatishmërisë, qoftë të mjeteve ajrore, qoftë të mjeteve detare dhe mirëmbajtjes. Mirëmbajtja është një sfidë, nuk e them tani për justifikim, edhe e vendeve të tjera më të zhvilluara se ne, pra nuk ka receta se cila është rruga më e mirë, ta zhvillosh mirëmbajtjen në kapacitete të brendshme apo siç quhen, ndjesë për termin në anglisht, “in house” apo ta delegosh atë tek të tjerët”.

Ministri Niko Peleshi e konsideron një nevojë urgjente parandalimin e krimit kibernetik. Sipas tij, aktualisht po punohet për një projekt prej 18 milionë euro për mbrojtjen nga këto sulme.

Klan News