Protestat anti-qeveritare në Bukuresht nuk ndalen. Për të tretën ditë radhazi mijëra rumunë mbushën sërish sheshin përpara parlamentit për të kërkuar largimin e qeverisë socialdemokrate të akuzuar për afera të mëdha korruptive.

Risia e këtyre protestave është pjesëmarrja masive mijëra emigrantëve rumunë, të cilët u rikthyen në vendlindje për të protestuar.

Mbi 400 protestues u lënduan natën e të premtes, pas përleshjeve që shpërthyen me policinë, në momentin që ata tentuan të hynin në ndërtesën e parlamentit.

Dhuna e policisë u dënua si nga presidenti Klaus Johanis ashtu edhe nga përfaqësitë e huaja diplomatike në Bukuresht. Një ndër shkëndijat e reagimit popullor është shkarkimi muajin e kaluar i ish-prokurores anti-korrupsion Laura Këvesi, e cila ka nxjerrë përpara drejtësisë dhjetëra eksponentë të lartë të socialdemokrateve. Irritim ka shkaktuar edhe ndryshimi i ligjeve të sistemit të drejtësisë, që është interpretuar si përpjekje e kreut të socialdemokratëve Liviu Dragnea për të shtrirë pushtetin mbi gjykatat.

Vetë Dragnea ka një dënim për të qëndruar larg posteve të larta shtetërore, i shpallur fajtor për manipulime zgjedhjesh dhe korrupsion.

Tv Klan