Kanë mbetur edhe 2 javë në shënimin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ndërsa i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se për Kosovën s’ka ende lajme të reja sa i përket pjesëmarrjes në këtë proces.

Në forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë të mërkurën, Sarrazini ka thënë se edhe pse takimi në Procesin e Berlinit do të mbahet pas dy javësh, me Kosovën janë “ende në rrugën e daljes apo paraqitjen e lajmeve të reja”.

Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë bashkë në tregun e BE-së duke shtuar se shumë investitorë po investojnë në Serbi, prandaj edhe Kosova duhet të krijojë parakushte për një gjë të tillë.

“Në rajon shihet potenciali që keni në Ballkan për shkak të një popullate të re që nuk dëshiron të presë, por dëshiron të veprojë”.

Menjëherë pas fjalimeve hapëse, Sarrazini e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kanë zhvilluar një takim. Pas takimit, Bislimi ka thënë se kanë folur për futboll.

Ndërkaq, lidhur me atë se a ka diçka të re rreth kërkesës së gjermanëve për CEFTA-n, ai tha se nuk ka pasur asgjë konkrete.

Javët e fundit, Sarrazin ka vizituar shpesh Kosovën në përpjekje për të hequr ndalesën ndaj importit të mallrave të prodhuara në Serbi e që qeveria thotë se e ka vënë për arsye sigurie. Ai pati përmendur edhe përjashtimin e mundshëm të Kosovës nga procesi i Berlinit. Kosova është pjesë e Marrëveshjes për Tregti të Lirë që nga viti 2007.

Tv Klan