Vinte nga Kolumbia, droga e ndarë në 53 pako

Kjo është sasia me qymyr në brendësi të së cilës policia gjeti një sasi prej rreth 59 kilogramësh me kokainë në anijen që vinte nga Kolumbia. Lënda narkotike u kap në hambarin e anijes ‘Unistream’, me flamur të Anigua Barbuda nga ishujt Karaibe.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije kokaina ishte e ndarë në 53 pako siç shihet edhe në këtë foto, ndërsa vijojnë kërkimet në pjesën tjetër të anijes me 6500 ton qymyr në bord.

Anija ‘Unistream’ mësohet se ishte nisur nga Kolumbia më 26 prill të këtij viti për të mbërritur në Durrës një ditë më parë rreth orës 08:32.

Operacioni është në vijimësi ndërsa nuk dihet ende nëse Shqipëria ka qenë destinacioni final i sasisë së kapur me kokainë. Nuk bëhet me dije për persona të arrestuar ndërsa në pyetje janë marrë ekuipazhi i anijes të cilët para hetuesve kanë mohuar të kenë lidhje me drogën e sekuestruar.

Kjo është një metodë e re që përdorin trafikantët për trafik ndërkombëtar kokainë, pasi më herët mënyra më e praktikuar ka qenë përmes ngarkesave me banane.

Tv Klan