Shoqata: Nga 29,600 persona vetëm 600 janë të punësuar në Shqipëri

Shoqatat e personave me aftësi të kufizuara e mirëpresin vendimin e qeverisë se 1 në 25 punonjës në shtet apo privat duhet të jetë nga kjo kategori.

Aktualisht në sektorët privatë dhe publik punojnë rreth 600 persona nga 29,600 invalidë pune. Administrata shtetërore është ajo që ka numrin më të ulët.

“Në sistemin publik, ose administratën shtetërore, kemi gjithsej 212 të punësuar dhe tek privati kemi 317. Pra, po t’i referohemi shifrave duke ditur se sot në të gjithë vendin invalidë pune me të drejtë puna janë mbi 29.600 vete, jemi shumë larg asaj që kërkohet. Vetëm në Administratën Publike sot duhet të kishim të punësuar 7.160 vete”, tha Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës.

Megjithatë orari i punës për disa prej këtyre personave nuk duhet të jetë i plotë.

“Personat me probleme kardiake dhe dibetikët nuk duhet të punojnë më shumë se 6 orë dhe pjesën e mbetur e mbulojnë vetë sigurimet”, tha ai.

Pak ditë më pare Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimin në ligjin “Për nxitjen e punësimit” që detyron çdo institucion publik dhe privat prej Janarit të 2024 të kenë të punësuar persona me aftësi të kufizuara.

Klan News