SHBA: Greqia dhe Turqia të ulin tensionet


SHBA: Greqia dhe Turqia të ulin tensionet

21:40 02/09/2020

“Të nisin bisedimet për konfliktin në Mesdheun Lindor”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve në Mesdheun Lindor. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, duke folur gjatë një konference për mediat në Uashington i ka kërkuar Greqisë dhe Turqisë që të heqin dorë nga gjuha e forcës dhe të nisin bisedimet si e vetmja mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre.

“Presidenti Trump ka qenë në biseda me Presidentin Erdogan, ai ka folur edhe me kryeministrin në Greqi. Ne po i nxisim të gjithë që të bëjnë një hap drejt zbutjes së tensioneve dhe fillimit të bisedimeve diplomatike mbi konfliktet në Mesdheun lindor. Nuk është e dobishme të rriten tensionet ushtarake në rajon. Vetëm gjërat negative mund të rrjedhin nga kjo”.

I pyetur në lidhje me vendimin e Uashingtonit për të hequr gradualisht embargon e armëve ndaj Qipros, Pompeo tha se kjo lëvizje nuk është e lidhur me Greqinë, Turqinë dhe Egjeun, por ka të bëjë me azhornimin strategjik të bashkëpunimit me Qipron.

Por për Ministrinë e Jashtme turke, vendimi i Uashingtonit godet rëndë përpjekjet për uljen e tensioneve dhe për paqe në Mesdheun Lindor. Turqia i bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta rishikojnë këtë vendim.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se sado që frontet të bashkohen, Turqinë nuk do të mund ta mposhtin.

Qeveria qipriote është e përfshirë në plane të përbashkëta me Greqinë për nxjerrjen e gazit në zonat e diskutueshme të Mesdheut Lindor që pretendohen edhe nga Turqia.

Kongresi amerikan vendosi në Dhjetor të vitit të kaluar heqjen e sanksioneve 33-vjeçare për armët ndaj Republikës së Qipros. Ato u vendosën në 1987-ën, 13 vite pasi Turqia pushtoi veriun e ishullit duke penguar përpjekjet e juntës ushtarake greke për bashkimin e Qipros me Greqinë.

Tv Klan



Të ngjashme