Shtetet e Bashkuara përsëritën thirrjen drejtuar Turqisë që të heqë dorë nga sistemi rus i mbrojtjes raketore. Ministri i Mbrojtjes i Turisë, Hulusi Akar, gjatë një interviste këtë javë u shpreh në favor të një zgjidhjeje kompromisi për sistemin rus S-400, të cilin Rusia fillimisht e ndërtoi për të shënjestruar aeroplanët luftarakë perëndimorë.

Por, duket se SHBA-ja nuk është e interesuar për ofertën turke. “Politika jonë për sistemin S-400 nuk ka ndryshuar,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, kur u pyet në lidhje me propozimin turk.

“Këto sisteme janë të papërshtatshme me pajisjet e NATO-s dhe kërcënojnë sigurinë e teknologjisë, në kundërshtim me angazhimet e Turqisë si një aleat i NATO-s. Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë nga Turqia të mos e mbajë këtë sistem.”

Ministri turk, ka përmendur rastin e Greqisë, e cila pasi kishte blerë sistemin rus S-300 nuk e kishte bërë plotësisht funksional atë. Turqia ka vazhduar zbatimin e marrëveshjes me Moskën pavarësisht paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara. Administrata e ish-presidentit, Donald Trump, përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe vendosi disa sanksione.

Presidenti amerikan, Joe Biden u zotua gjatë fushatës zgjedhore se do të ashpërsojë qëndrimin e ShBA-së ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të cilin ai e ka përshkruar si autokrat.

Klan News