Emisioni Stop në Tv Klan trajtoi historinë e 3 zotërinjve në Shkodër, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme në vitin 2007 dhe sot ata kanë zbuluar se numrat e tyre të Amzës, por edhe të gjithë brezit të asaj kohe, janë tjetërsuar.

Për problemin e Amzës së korrigjuar, gazetarja e Stop shkoi në Zyrën Vendore Arsimore dhe për këtë çështje punonjësja na njofton se palët e dëmtuara duhet t’i drejtohen gjykatës.

Por, njëri prej zotërinjve të cilit i është tjetërsuar numri i Amzës, e ka denoncuar rastin në polici më datë 15 Shtator tek oficeri i Policisë Gjyqësore, Fadil Hotaj.

Gazetarja e Stop, Domenika Bajraktari, shkoi në Komisariatin e Policisë së Shkodrës për t’u interesuar për rastin. Për aty gazetarja përballet me arrogancën e shefit të Komisariatit Shkodër, Paulin Çupi, i cili prek me dorë gazetaren dhe shtyn kameramanin duke i nxjerrë jashtë.

E gjithtë skena e sjelljes arrogante dhe të papranueshme të shefit të Komisariatit Shkodër Paulin Çupi është filmuar nga kamera e fshehtë.

Polici: Si kaluat?

Gazetarja: Si je shefi? Do kërkojmë një informacion.

Polici 2: Po pse i fute?

Gazetarja: Pse e kritikon “Pse i fute?”? Ku e ke të shkruar, që mund të më ndalosh?

Polici: Ke mundësi, dil atje! Duhet me njoftu dikë tjetër ne, se kemi Shef Komisariati. Ke mundësi me dal atje?

Gazetarja: Jo nuk dal, sepse ky është një institucion shtetëror dhe ju nuk keni të drejtë të nxirrni gazetarët dhe duhet të edukoheni!

Gazetarja: Ti nuk ke punë fare me mua njëherë, këtu ka një zyrë, është një punonjës, që paguhet dhe që është pikërisht për marrdhëniet me median. Ku është punonjësi? T’i ndajmë gjërat!

Polici: Unë jam oficer i rojës moj zonjë.

Gazetarja: Je i rojës për popullin.

Polici telefonon shefin e komisariatit, Paulin Çupi:

Polici: Na kan’ ardhë këta gazetarët e Tv klanit, kanë hyrë deri te zyra e sherbimit të qytetarëve edhe nuk japin arsye, pse kanë ardhë.

Gazetarja: Unë dua personin, që pret median!

Gazetarja: Shefi përshendetje!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Unë jam Shefi i Komisariatit! Ça problemi ke?

Gazetarja: Unë jam Domenika nga emisioni “Stop”.

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Po! Përse keni ardhë këtu?

Gazetarja: Në radhë të parë duhet të trajtohet ky institucion si Shtetëror!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi:”Më thuni” pra çfarë arsye keni, që vini këtu? Nuk është han.

Gazetarja: Për një denoncim, ah nuk është han, sigurisht, që nuk është han. Sepse nuk është han, ne e trajtojmë si institucion, se po të jetë han, trajtohet ndryshe.

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi:Për çfarë keni ardhë ju këtu?

Gazetarja: Për një denoncim, që është bërë me datën 15 shtator, e ka marr Fadil Hotaj.

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Keni bërë kërkesë?

Gazetarja: Jo, nuk bëj kërkesë, sepse kjo është mënyra burokratike e institucionit, nuk është mënyra ime.

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Atëhere duhet të bëni kërkesë për zgjidhjen e problemit, ça kërkoni ju?

Gazetarja: Unë kërkoj oficerin e policisë gjyqësore Fadil Hotaj!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Po! Dilni e priteni jashtë!

Gazetarja: Jo, a do vijë?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Dilni jashtë! Dilni jashtë!

Gazetarja: Je shefi i komisariatit?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Po! Dilni jashtë!

Shkon te operatori dhe e shtyn për ta nxjerrë jashtë

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Vazhdo, vazhdo!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Ti del jashtë pastaj merr ministrin, merr kë të duash!

Gazetarja: Ky është shefi i komisariatit!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Vazhdoni dilni jashtë!

Gazetarja: Jo, jo jashtë nuk mund të na nxirrni!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Ju jashtë tashi! Dilni jashtë tashi!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Ore zotëri nuk dhunoni institucionin ju, dil jashtë! Vazhdo!

Gazetarja: Kush po dhunon institucionin?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Po dhunim institucioni është, vini e hyni këtu.

Gazetarja: Kush po bërtet këtu?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Nuk futeni këtu! Mund t’ju vë në dispozicion zëdhënësen dhe atëherë mund të hyni këtu dhe të interesoheni!

Gazetarja: Ju zëdhënësen duhet ta keni këtu në momentin, që sheh median!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Kërkojeni te dera! Dilni jashtë! Kërkojeni te dera, jo të hyni në zyrën time!

Gazetarja: Po si more zotëri, kur e privatizove ti këtë institucion?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Nuk vjen ti në zyrën time këtu!

Gazetarja: Kur e privatizove, more zotëri?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Dil jashtë!

Gazetarja: Kur e privatizove ti Policinë e Shtetit?

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Dilni jashtë!

Gazetarja: Këtu në Shkodër keni një problem shumë serioz me shtëpinë, ju e konsideroni punën e shtetit si …

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Di me ba emision të bukur ti, vazhdo dil jashtë(shtyn) tashi, vazhdo dil jashtë! Drejto kërkesën te dera aty, ka një derë aty, ka një posto-bllok aty, ka një shërbim policie aty. Ti nuk mund të hysh kështu!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Dil jashtë! ( shtyn operatorin)

Operatori: Jashtë jam.

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Atje, atje! (jashtë portës hekurit) vazhdo mor djalë, jashtë po të them!

Polici: Vazhdo zonjë! ( shtyn me duar)

Gazetarja: Po ti qenke i bezdisshëm, mos prek me duar, edhe shefi i komisariatit prek me duar!

Shefi i Komisariatit Paulin Çupi: Vazhdo jashtë!

Megjithatë, pavarësisht pengesave nga drejtuesit e Komisariatit të Shkodrës të cilët e trajtonin institucionin si pronë private, gazetarja mori informacionin që i nevojitej. Materialet për tjetërsimin e Amzës janë referuar në Prokurori për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të punonjësve të mëparshëm dhe falsifikim të numrit të Amzës.  /tvklan.al