#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

Të ftuar Eda Bano, Teuta Borova, Deada Hyka, Xhesjana Çelaj

2 receta nga Znj.Vjollca

Kunguj të mbushur me gjizë


1 kg kunguj të njomë
300-350 gr gjizë pa kripë
2 vezë
2 lgj parmixhan të grirë
1 tufë kopër
2 lugë gjelle bukë të thekur të grirë
Vaj ulliri

Pastrojmë kungujt dhe i presim ato në gjysma për së gjati. Pastrojmë tulin brenda tyre duke formuar një hapësirë në formën e një varke ku do të vendosim mbushjen. I spërkatim kungujt me pak dhe pas 10 minutash e fshijmë lahështirën e tyre. Tulin që larguam nga kungujt e presim në kubikë të vegjël dhe e kaurdisim në tigan me pak vaj për 5-7 minuta. Më pas e përziejmë me vezët, gjizën, koprën, parmixhanin, kripë e piper. Përziejmë mirë mbushjen. Shtojmë dhe 2 lugë gjelle bukë të thekur të grirë dhe 2 lugë gjelle vaj ulliri. I përziejmë mirë dhe mbushim mirë hapësirat e kungujve. I vendosim ato në tavën e lyer me vaj. Në fund spërkatim dhe kungujt me pak vaj dhe pak parmixhan dhe i pjekim në furrën e parangrohur në temperaturë 180 gradë për 40-45 minuta.

Akullore me kos


400 ml krem pana
380 gr qumësht të kondensuar
400 gr kos grek
Fruta për servirje

Në një tas vendosim kosin grek. Shtojmë në të qumështin e kondensuar dhe i përziejmë së bashku me tel dore. Në një tas tjetër vendosim kremin e panës dhe e rrahim atë me rrahëse elektrike deri sa volumi i saj të dyfishohet por jo të ngurtësohet. Sapo helika të lërë gjurmë mbi panë, nuk e rrahim më. Bashkojmë panën pak nga pak me kosin grek dhe qumështin e kondensuar. Tani nuk e përziejmë më me rrahëse elektrike por me tel dore. Vendosim akulloren në një tas me kapak, ose e mbulojmë me celefon e më pas e lëmë në frigorifer në ngrirje për 4 orë. Më pas e shërbejmë me fruta në kubikë ose me pak reçel luleshtrydhe.

“Shtëpi e ëmbla shtëpi”, kënaqësia e madhe që na jep foleja jonë

A është kthyer shtëpia sot në një “hotel”

Pse nuk ka vend si shtëpia jote