Kjo është ajo çfarë ka mbetur pas sulmit të Rusisë me raketa balistike në Poltava të Ukrainës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 51 personave dhe plagosjen e 235 të tjerëve.

Dy raketat shënjestruan godinat e Institutit të Komunikimit Ushtarak, si dhe një spital në qytetin që ndodhet në lindje të Ukrainës.

Deri më tani raportohet se 15 persona kanë mbetur nën gërmadha. Forcat e shpëtimit, sipas autoriteteve ukrainase po punojnë për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.

Sulmi duket se është një nga më të përgjakshmit i kryer nga forcat ruse që nga fillimi i luftës që nga 24 shkurti i 2022.

Kievi shpalli për këtë ngjarje tre ditë zie kombëtare. Presidenti i Ukrainës, Zelenski tha se kishte urdhëruar “një hetim të plotë dhe të shpejtë” mbi ngjarjen, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Më tej ai tha se Ukraina ka nevojë për sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore tani që mund të mbrojnë Ukrainën nga terrori rus.

Ndërkohë që qeveria ukrainase pësoi një goditje, pasi tre prej anëtarëve te saj dhanë dorëheqjen. Bëhet fjalë për ministrat, e Industrisë Ushtarake, të Drejtësisë dhe të Mjedisit. Arsyet e këtyre largimeve ende nuk janë bërë të ditura.

Tv Klan