Shije Shtëpie – Emisioni 15 Shtator 2022


Shije Shtëpie – Emisioni 15 Shtator 2022

20:18 15/09/2022

Të ftuar:

Brikena Xhixha – nutricioniste

Shkëlqim Balili – mjek gjinekolog

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Spinaq furre me djathë

500 gr spinaq

4 qepë të njoma

2 lgj vaj ulliri

Majdanoz, kopër

1 gotë e gjysmë miell

1 lç pluhur pjekës

Kripë, arrë moskat

3 vezë të rrahura

Pak gjalpë i shkrirë

150 gr djathë i bardhë

125 gr mocarela

2 lgj parmixhan i grirë

Fillimisht gradojmë furrën në temperaturë 180 gradë. Lyejmë një tepsi të vogël me vaj ulliri. Në një tigan ngrohim 1 lugë gjelle vaj dhe kaurdisim qepët të prera hollë në unaza për 2 minuta. Shtojmë spinaqin, e përziejmë së bashku me qepët deri sa spinaqi të ulë volumin. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, arrë moskat dhe e kalojmë në një kullesë për të larguar ujërat e tepërta.

Në një tas të madh vendosim 200 gr miell, pluhurin pjekës, kripën dhe i përziejmë. Shtojmë qumështin, vezët, gjalpin dhe vazhdojmë përzierjen. Në fund shtojmë spinaqin, koprën, djathin e grirë dhe mocarelën. I përziejmë mirë dhe transferojmë përzierjen në tepsinë e lyer me vaj. E nivelojmë mirë dhe e spërkatim sipër me 2 lugë gjelle parmixhan të grirë hollë. Vendosim tavën në furrën e parangrohur 180 gradë për 30 minuta deri sa sipërfaqja e tavës të marrë një ngjyrë kafe të artë. E largojmë tepsinë nga furra. E lëmë të pushojë 10-15 minuta e më pas e shërbejmë në feta.

Paçe e Kosovës

3 lgj miell misri

30 gr gjalpë

3-4 thelpinj hudhër

700 ml lëng mishi

1 fç kos

2 lgj uthull

Erëza sipas dëshirës

Pak piper të kuq

Në një tenxhere shkrijmë gjalpin dhe kaurdisim miellin e misrit deri sa të marrë një ngjyrë të artë, pak të errët. Shtojmë lëngun e mishit dhe e trazojmë me tel dore deri sa të marrë valë. Rregullojmë shijen me hudhra të shtypura e kripë. Ulim temperaturën dhe shtojmë kosin. E përziejmë. Nëse kosi është i ëmbël shtojmë 1-2 lugë gjelle uthull e piper të zi. Shkrijmë përsëri pak gjalpë, shtojmë një majë luge piper të kuq dhe pasi të shërbejmë në pjatë, shtojmë 1 lugë çaji gjalpë me piper.

Jeta e doktor Shkëlqimit përtej bluzës së bardhë

“E kisha oksigjen”, me lot në sy mjeku rrëfen humbjen e vajzës në moshën 23-vjeçare

E kemi parë të flasë plot pasion për profesionin e tij, por sot “Shije Shtëpie” në Tv Klan e sjell mjekun e njohur Shkëlqim Balili nën një prozhektor tjetër. Pa dorezat, përparësen e bardhë apo përvojën e mjekut, ai rrëfen ngjarje të jetës së tij, nga fëmijëria e deri tek tragjedia më e madhe që mund të përjetojë një prind. Një fotografi familjare e kthen kohën pas, në vitet kur njeriu që e quan “oksigjeni i tij” i përkiste ende kësaj jete.

Shkëlqim Balili: Tani këtu është familja ime. Mua babai im më ka vdekur në ‘79-ën. Ai vuante nga mëlçia dhe pati një aksident, një hemorragji nga goja dhe ngeli mamaja ime. Aty jam unë, mamaja, Ervini, Vera dhe Mirela, që nuk është sot. Mirela ka qenë goca ime, unë Mirelën e kisha oksigjen dhe në ’97-ën, ajo ishte në Universitetin e Firences në Karexhi dhe aty u bë një aksident me makinë dhe pas 19 ditësh humbi jetën, 23 vjeç. Kam kaluar një tragjedi të jashtëzakonshme dhe pastaj nuk mbaj mend si kam ardhur këtu nga Italia sepse u bë autopsia dhe gjërat e tjera atje dhe nuk mundi të shpëtojë.

Problemi që e bëri mjekun të vuante më shumë ishte pamundësia për të marrë një vizë që të udhëtonte drejt Italisë. Fatmirësisht, një mikeshë e ndihmoi asokohe dhe në mbërritjen në vendin fqinj, mjekët italianë e lejuan të hynte në sallë.

Transportimi i Mirelës nga një spital tek tjetri, shkaktoi dëmtime në damarët e gjakut sepse kishte fraktura të shumta në kocka, ndaj u desh të dhurohej shumë gjak. Në një rast të tillë, ndryshimi i sasisë së gjakut në organizëm krijon ndërlikim në koagulimin e gjakut në të gjitha valëzat.

Shkëlqim Balili: Mirela u nda nga jeta dhe e kam vuajtur shumë. Pastaj kur erdha këtu, Ervini ishte në atë kohë 20 vjeç dhe ai ishte i pari që u godit. Kjo vazhdonte Mjekësinë, ai ishte për Financë atje. Ishte i pari që u godit nga humbja e motrës. Pas shumë peripecish, kur erdhëm këtu, nuk mbaj mend si kam ardhur në Shqipëri, vetëm mbaj mend që kishin ambulancat e maternitetit që më morën. Dhe pastaj e futa në një kasafortë të vogël vajzën dhe u futa në punë dhe u përpoqa për gruan sepse ajo u bë shumë shumë keq. Kur kam shkuar një ditë nga puna në shtëpi, e gjeta në divan kishte marrë ngjyrë gri.

Në përpjekje për të ndihmuar bashkëshorten e tij, mjeku kërkoi 15 ditë leje për të qëndruar me të. së bashku, organizuan një udhëtim në Maqedoni ku të dy mbështesnin njëri-tjetrin, teksa sytë i kishin drejt djalit të tyre.

“Nuk e njihte frikën”, doktori kujton të bijën: Nuk donte të bëhej mjeke e zakonshme

Mjeku i njohur Shkëlqim Balili kësaj here në “Shije Shtëpie”  në Tv Klan nuk flet për profesionin, por për familjen. Teksa ndau humbjen tragjike të vajzës së tij nga një aksident që i mori jetën në moshën 23-vjeçare, ai kujton edhe momente të tjera të saj. Asokohe, Mirela ishte njohur me një djalë, për të cilin mjeku ndan respektin më të madh. Njohja e Mirelës me djalin ndodhi në një kamp në Golem, ku babai i saj ishte mjek dhe ai përshkruan pikërisht momentin e vendimit të saj.

Shkëlqim Balili: Mirela i kishte ngjarë babait tim, nuk e njihte frikën. Ishte shumë e hapur, shumë e çiltër,  nuk mbante fshehtësi dhe tha “këtë e dua, pikë mbaroi dhe kjo mori fund”.

Më tej, doktor Shkëlqimi shpjegon edhe arsyen e vendimit të vajzës së tij për të studiuar në degën e Mjekësisë.

Agida Koçi: A ishte dëshirë e juaja që ajo të vazhdonte për Mjekësi?

Shkëlqim Balili: Po patjetër. Ajo kishte një gjë shumë interesante. Ajo nuk donte të bëhej mjeke e zakonshme. Daja i saj, që është sot, ka pësuar aksident, por shpëtoi fatmirësisht nga një shtyllë se ishte në minierën e Krrabës. Ajo kërkonte të gjente enigmatikën dhe gjendjen shkencore të trurit në gjendjet kur nuk je normal dhe fitoi këtu konkursin edhe në Francë, edhe në ambasadën italiane për të bërë mjekësinë molekulare të trurit. Ishte e lidhur vetëm me trurin. Trurin e quante të jashtëzakonshëm dhe të çuditshëm në shumë momente dhe mjekësinë e donte shumë.

Diferenca midis llojeve të qumështit bimor me ato shtazor dhe ndikimet e tyre












Të ngjashme