500 shtëpi u dëmtuan në Durrës

Ndonëse reshjet kanë pushuar, edhe mbrëmjen e kësaj të mërkure situata vazhdon të mbetet e pandryshuar në Shkodër. Siç duket nga pamjet, niveli i liqenit mbetet në kuota maksimale.

Sipërfaqes së përmbytur iu shtuan edhe 300 ha të tjerë, duke e çuar në 2365 hektarë totalin e tokave nën ujë.Më e rënduar gjendja vijon të shfaqet Obot, ku ka akses vetëm përmes varkave, pasi uji shkon në mbi një metër. Por Korporata Elektroenergjetike Shqiptare siguron se situata është nën kontroll.

Gjithë preokupimi ynë kanë qenë shkarkimet në Vaun e Dejës. Aty kemi arritur të menaxhojmë që prurjet të jenë minimale. Ne sot kemi arritur të kemi 500 m në sekondë, gjë që nuk jep impakt në zonën e Nënshkodrës. Do mundohemi ta mbajmë edhe pak këtë minimum shkarkimesh”.

Në Durrës, lumi Erzen është tërhequr në shtratin e tij, por shumë shtëpi mbeten ende nën ujë në Katund të Ri. Në këtë zonë ishte edhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Duhet thënë që kur ka raste të tilla duhet të nxjerrim dhe mësime. Ajo që shohim këtu fillon origjinon nga zënia dhe bllokimi i kanaleve, shkarkimeve nga dinamika informale e ndërtimeve në vite të cilës tani nuk i kthehemi më dot pas”.

Banorët thonë se dëmet që kanë pësuar janë të shumta. Shtabi i Emergjencave Civile në qarkun Durrës ende nuk ka bërë një bilanc të dëmeve të shkaktuara, por paraprakisht thuhet se mbi 500 shtëpi dhe afro 70 biznese u prekën nga përmbytjet, ndërsa 700  hektarë tokë bujqësore u përmbytën.

Tv Klan