Ka shkuar në 6 numri i viktimave nga koronavirus në Itali.

Mëngjesin e sotëm janë shënuar 3 raste vdekjesh. Një 84-vjeçar ka humbur jetën në një spital në Bergamo, një tjetër i moshuar ka gjetur vdekjen në Lombardi, ndërsa viktima e tretë është një grua nga Brescia.

Sipas mediave italiane, numri i të infektuarve ka shkuar mbi 210 persona.

Presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana, ka bërë thirrje për ruajtje të qetësisë, ndërsa shton se nuk ka nevojë “stuhi nëpër markete”, siç ndodhi një ditë më parë.

Angelo Borrelli, kreu i Mbrojtjes Civile paralajmëron se në rast se numri i të infektuarve vijon të rritet, janë në dispozicion 3.500 shtretër në strukturat ushtarake, nga këto 1.789 janë nga Forcat Ajrore.

Borrelli thekson se numri i të infektuarve në Itali po rritet me shpejtësi, ndërsa thotë se po kryhen teste në zonat e shpërthimit të virusit dhe se po bëhet një punë e mirë për ta mbajtur numrin nën kontroll dhe për të parandaluar raste të reja infektimi.

/tvklan.al