Gjykata Themelore në Shkup i dënoi me nga dy vjet burg disa politikanë dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, të akuzuar në rastin e koduar “Titanik 2” në një proces të përsëritur gjyqësor, pasi Gjykata e Apelit në vitin 2019 e ktheu rastin për rigjykim.

Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare(PDSH), Sasho Mijallkov, ish-shef i shërbimit sekret, Bedredin Ibrahimi (PDSH), Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Sërcev, të gjithë ish-anëtarë të Komisionit Shetëror të Zgjedhjeve; tre të fundit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, akuzoheshin për manipulime në zgjedhjet e vitit 2013.

Në rigjykim, të akuzuarit morën dënime më të ulëta, në dallim nga gjykimi i parë para katër vitesh kur ata qenë dënuar me nga tre dhe katër vjet heqje lirie. Sidoqoftë, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi gëzon imunitetin e ligjvënësit dhe kjo e mbron atë nga vuajtja e dënimit me burg. Ndërkohë, për ish-shefin e Sigurimit shtetëror (shërbimi sekret), Sasho Mijallkov nëse deri në muajin prill nuk hyn në fuqi vendimi, duke pasur parasysh afatet e ankimit, dënimi i tij me burg për këtë vepër mund të rrëzohet. Megjithatë, ai akuzohet për disa vepra të tjera, për të cilat po mbahet procesi gjyqësor.

Sipas akt-akuzës, zoti Mijallkov në vitin 2013 i kërkoi zotit Menduh Thaçi që përmes anëtari të partisë së tij, Bedredin Ibrahimi (anëtar i KSHZ-së) të prishë një qendër votimi në Strumicë, në favor të një kandidati tw VMRO-DPMNE-së, në dëm të kandidatit për kryetar komune të Lidhjes Social Demokrate. Dhe kjo gjë kishte ndodhur. Madje, biseda për këtë qe bërë publike në skandalin e përgjimeve të bisedave telefonike.

Para pak javësh, u bë e ditur se Gjykata e Apelit kishte mbajtur në sirtarë, pa ndonjë arsye material gjyqësor që ngarkonte ish-kreun e shërbimit sekret. Kjo u konstatua pas një inspektimi të Këshillit Gjyqësor në ambientet e Gjykatës së Apelit, pas reagimeve të shumta në publik lidhur me anulimin e aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë kundër z. Mijallkov.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut vlerësohet të jetë ndër instancat më të korruptuara në vend dhe sipas sondazheve, vetëm tetë përqind e qytetarëve kanë besim tek ai.
Para pak javësh në Shkup qëndroi një ekip i ekspertëve amerikanë por në publik nuk u bë e ditur edhe përkundër pritjeve nëse SHBA-të do të hartonin së shpejti një “listë të zezë” me emra të zyrtarëve, gjykatësve e prokurorëve të korruptuar nga Maqedonia e Veriut. /VOA