Dënohet me 1 vit burg ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës




Dënohet me 1 vit burg ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës

14:55 17/06/2021

Rami u shpall fajtore për prishjen e dy banesave me leje

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 1 vit burgim ish-kryebashkiaken e Gjirokastrës Zamira Rami për shpërdorim detyre.

Gjithsesi ish-kryebashkiakja e LSI-së nuk do të qendrojë në qeli pasi gjykata ka vendosur pezullimin e vuajtjes së dënimit në burg dhe konvertimin e tij me punë në interes publik.

SPAK e akuzoi ish-kryetaren e Bashkisë Gjirokastër se në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime që kanë sjellë prishjen e dy pronave private gjatë realizimit të dy projekteve, një prej të cilave në kuadër të Rilindjes Urbane në qytetin e Gjirokastrës.

Sipas SPAK, Rami ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke prishur dy prona të ligjshme të shtetasve Dritan Sako dhe Teodorti Xhai dhe duke u shkaktuar atyre një dëm pasuror në vlerë 5.600.520 Lekë.

Në vitin 2019, pronarët e banesave të prishura për shkak të zbatimit të dy projekteve denoncuan Ramin në Prokurorinë e Gjirokastrës për “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se nuk ishin dëmshpërblyer. Më pas dosja u transferua për kompetencë në SPAK.

Zamira Rami u zgjodh në krye të bashkisë Gjirokastër në vitin 2015 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Tv Klan





Të ngjashme