Premier League dominon klasifikimin

Vështirësitë ekonomike nuk e kanë penguar Barcelonën për të shpenzuar shifra të konsiderueshme në merkaton e kësaj vere. Kur kanë mbetur edhe shumë ditë deri në fundin e këtij sesioni, spanjollët konsiderohen si ‘mbretëresha’ e lëvizjes së futbollistëve.

Me pesë blerjet e tyre, dy prej të cilëve me parametra zero, Barcelona kryeson listën e skuadrave që kanë shpenzuar më shumë deri më tani. Katalanasit kanë nxjerr nga kursimet 153 milionë euro për tre futbollistët Kunde, Levandovski dhe Rapinja. Blerje tepër cilësore për skuadrën e trajnerit Xavi, që shpreson të rikthehet tek trofetë pas zhgënjimit të sezonit të shkuar.

Blerje me tepër peshë ka zyrtarizuar edhe Bajern Mynih. Rekordmenët e Bundesligës duan që të shtrijnë suksesin e tyre edhe përtej kufijve gjerman, teksa kanë shpenzuar plot 137. 5 milionë për të forcuar skuadrën. Mes emrave të rëndësishëm janë sigurisht ata të Sadio Mane dhe De Ligt, por edhe sulmuesi i prespektivës, Matys Tel. Ajo që bie në sy është se në këtë renditje, 6 nga 10 skuadrat që kanë shpenzuar më shumë në këtë periudhë janë klube të Premier League angleze.

Arsenal gjendet në vendin e tretë, me 132 milionë Euro të shpenzuara. Mes blerjeve të bujshme janë ato të dyshes së Sitit, Gabriel Zhesus dhe Zinçenko. Pas tyre gjendet, Mançester Siti dhe Lids Junajtid me 108.7 milionë euro, ndjekur nga klubet londineze, Tottenham e Chelsea, PSG, Uest Ham dhe Juventus, që deri më tani ka shpenzuar 89.5 milionë euro. Tv Klan