10-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka bërë bashkë Presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe kreun e qeverisë Edi Rama. Në një ceremoni të zhvilluar në Sheshin “Nënë Tereza”, kryeministri vlerësoi rolin e aleancës për integrimin e rajonit, por nënvizoi se këto vende kërcënohen nga influenca e vendeve të treta.

“Nacionalizmi në rritje, kriza e refugjatëve sirianë, apo emigrantëve në Mesdhe dhe lufta kibernetike, janë rreziqe reale që kërkojnë një përgjigje të përbashkët ku secili ka vendin dhe rolin e vet. NATO duhet të përballet edhe me doktrina agresive, të faktorit të tretë me një shpërfillje të hapur të ligjeve ndërkombëtare. Në mënyrë që paqja e brishtë ende në këtë rajon të mos sfidohet kurrë në të ardhmen dhe në mënyrë që Ballkani të mos jetë më porta përmes së cilës influencat e vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës, është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar e aleancës euroatlantike.

 

Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo vetëm për Kosovën, thjeshtë dhe as vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike.

 

Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është pa dyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar, përmes së cilit arkitektura e sigurisë europiane dhe euroatlantike në jug dhe juglindje të kontinentit të marrë një trajtë të plotë dhe të sigurt.

 Për Presidentin Meta forcimi i sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, mbetet prioritet.

“Forcimi dhe fuqizimi i infrastrukturës së sigurisë tonë kombëtare mbetet një prioritet i padiskutueshëm. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, emigracionit të paligjshëm dhe sulmeve kibernetike janë kërcënimet reja, të cilat kërkojnë bashkëpunim edhe më të ngushtë midis vendeve tona.”

Ndërsa u tregua më e ashpër dhe  drejtpërdrejtë për influencën ruse në Ballkan, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka që thotë se Moska përdori në rajon edhe një grusht shteti për të rrezuar një qeveri legjitime.

“Është përpjekje e mirëmenduar dhe mirëfinacuar duke destabilizuar Ballkanin duke i hapur rrugë penetrimit të aktorëve dhe dobësimin e sigurisë nga ana tjetër. Po përdoren instrumente ekonomike, përdorimi i mediave përmes ‘fake news’ që synon të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik, nxitja e tensioneve fetare dhe politike, dhe deri tentativa për të rrëzuar një qeveri legjitime të një vendi kandidat për anëtarësim në NATO përmes një grushti shteti.”

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO u zhvillua edhe një paradë ushtarake, ku merrnin pjesë atashe ushtarakë, ministra të Mbrojtjes, ambasadorë si dhe përfaqësues nga 29 vendet anëtare të NATO-s. Ndërsa 7 avionë të NATO-s kryen fluturim demonstrues në hapësirën ajrore shqiptare.

Tv Klan