Sot dhe nesër do të jenë ditë zie kombëtare, në nder të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Me vendim qeverie, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmështizë.

Ceremonia shtetërore dhe homazhet publike do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, të mërkurën, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Ndërsa në orën 13:00 të së mërkurës në nderim të shkrimtarit të madh do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.

I njejti vendim është marrë dhe nga Kosova. Presidentja Osmani ka shpallur datën 3 Korrik, ditë zie në Kosovë. Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar dekoroi shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani u shpreh se populli shqiptar humb kolosin dhe dijetarin më të njohur.

Shkrimtari i madh Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e të hënës, në në moshën 88-vjeçare.

Ai do të mbahet mend jo vetëm si rojtari i gjuhës shqipe, por dhe si një shkrimtar që e çoi përpara zhvillimin e saj, edhe më shumë, si një gjeni që e bëri të njohur në arenën ndërkombëtare. Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës. Kadare i ka lënë vendit një pasuri të madhe që brezat do ta gëzojnë gjithmonë, por edhe bota, që e vlërësoi me çmimet më të larta.

Ai u nderua në 2005-ën me çmimin “Man Booker Prize” që ndahet në Britanë e Madhe. Në 2009 mori çmimin në Spanjë, Princi i Austurias për Artet, në Itali u nderua me çmimin “Lerici Pea”. Në Francë u nderua me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” dhe “Oficer i Legjionit të Nderit”.  

Shumë here ishte kandidat për çmimin Nobel, por ndonëse asnjëherë nuk e fitoi, Kadare mbetet sot shkrimtari më i njohur shqiptar në botë.

Klan News