Shqipëria do të luajë sot në Elbasan miqësoren me Jordaninë një ekip që renditet 53 pozicione më poshtë se kuqezinjtë në FIFA.

Trajneri Christian Panucci e cilësoi si të rëndësishme miqësoren me Jordaninë për takimin e Ligës së Kombeve me Izraelin të dielën në Ber Sheva. Pritet që në miqësoren e sotme të kenë minutat e tyre edhe të rinj sipas asaj që tha Panucci në konferencën e djeshme.

“Do të shikojmë ndonjë të ri në fushë. Jam këtu prej më shumë se 1 viti dhe kur ka qenë mundësia kam afruar lojtarë të rinj.”

Pritet që Christian Panucci të vlerësojë gjendjen e lojtarëve për të vendosur përfundimisht formacionin e minutës së parë.

Trajneri njihet për surpriza të minutave të fundit. Në mbrojtje mund të kthehet Lenjani, por dyshimet më të mëdha janë për mesfushën dhe sulmin. Christian Panucci ka afruar disa lojtarë për herë të parë në ekip, si Myrto Uzuni, Xhiakomo Vrioni, Kastriot Dermaku dhe Egli Kraja.

Ndeshja që do të nisë në orën 20:00 do të jetë miqësorja e shtatë ndaj një ekipi aziatik. Në rastet e mëparshëm kemi fituar 5 dhe kemi humbur vetëm 1. Miqësorja e fundit ishte ajo ndaj Katarit në përgatitjet për finalet e Euro 2016.

Tv Klan