Shtëpia e Bardhë po përgatitet për tranzicionin në 20 Janar dhe duket se nuk do ketë me rezistencë e cila mund të shkaktojë trazira të tjera.

Zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Chris Liddell, u ka dërguar sot një letër të gjithë anëtarëve të Kabinetit dhe i ka këshilluar të emëruarit politikë të përgatiten të japin dorëheqjen më 20 Janar si pjesë e tranzicionit të pushtetit te Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Ndërsa përgatitemi për një tranzicion të pushtetit, ne duhet të marrim masat e duhura për të siguruar që kjo të bëhet në një mënyrë të rregullt. Tradicionalisht, të Emëruarve të Presidentit në pozicione jo-mandate u është kërkuar të paraqesin letra zyrtare të dorëheqjes.

Në përputhje me këtë praktikë të kaluar, të gjithë të Emëruarit e Presidentit duhet t’i paraqesin një letër dorëheqje Presidentit Donald J. Trump me një datë nisje jo më vonë se ora 12:00 e datës 20 janar 2021“, thuhet në letrën e dërguar nga zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana tjetër një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi letrën si pjesë të procesit normal të tranzicionit.

Kongresi amerikan u pushtua një ditë më parë nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump, teksa po mbahej seanca për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Trazirat detyruan Kongresin të ndërpriste punimet që do të certifikonin fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale. Katër persona u vranë në këto trazira.

Ndërkohë që sot, Kongresi arriti të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të njihte fitoren e Joe Biden si President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, Presidenti në detyrë Donald Trump reagoi duke thënë se tranzicioni i pushtetit do të bëhet paqësisht. /tvklan.al