Bota e futbollit italian dhe jo vetëm është në zi. Këtë të mërkurë u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, Salvatore Schillaci, i njohur nga të gjithë si Toto. Vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Ish-futbollist i disa klubeve në Itali si Juve dhe Inter dhe gjithashtu edhe i kombëtares italiane. Me golat e shënuar në Botërorin e 90-ës, ai u shndërrua në heroin e popullit italian.

I lindur në Palermo më 1 Dhjetor 1964, Tote dallohet në klubin e Messina. Me pak ndeshje dhe shumë gola tek Juventus në 1989, ai mori ftesën për në kombëtare për të marre pjesë në Kupën e Botës që u luajt në Itali.

Schillaci, në atë edicion të kampionatit botëror, fillon si rezervë e Andrea Carnevale. Meritoi shumë shpejt vendin titullar dhe historia e tij u bë legjendë nën tingujt e këngës “Netë Magjike”, në fakt himnit të pavdekshëm kënduar nga dyshja Gianna Nannini- Edoardo Bennato.

Së bashku me Roberto Baggio, ngazëllyen tifozët duke tërhequr Italinë në gjysmëfinale por penalltitë e shuan ëndrrën e një kombi të tërë, Italia eliminohet. Por karriera e tij pas këtij Botërori ishte e gjitha në rënie aq sa në Serie A përfundoi brenda një viti. Me Juven, Schillaci shënoi shumë pak.

Në vitin 1992, ai u transferua te Interi por edhe këtu nuk shkëlqeu: me zikaltrit shënoi 11 gola në 30 ndeshje. Në fillim të vitit 1994, Toto ishte i pari në Itali që vendosi të shkonte të luante në Japoni, në Jubilo Iëata, skuadra Yamaha.

U shndërrua sërish në idhull të tifozerisë. Në sezonin e dytë shënoi 31 gola. Në vitin 1997, ai i dha fund eksperiencës së tij me Japoninë dhe me futbollin e luajtur dhe u kthye për të jetuar në Itali. Që prej vitit 2000 jetoi në Palermo ku drejtoi një shkollë futbolli.

Tv Klan