Qeveria greke ka gati një projektligj që synon rishpërndarjen e turistëve në të gjithë vendin përmes një sistemi të ri tatimi.

Mediat greke shkruajnë se qeveria ka në plan vendosjen e tarifave që arrijnë deri në 20 Euro për pasagjer në zonat turistike në pikun e sezonit që arrihet në muajt e verës dhe 15 Euro për hotelet dhe banesat me qera ditore.

Sipas strategjisë së re që parashikohet të hyjë në fuqi që nga 1 Qershori i vitit të ardhshëm, çdo turist që do të vizitojë ishujt e famshëm Mikonos dhe Santorini, duhet të paguajë 20 Euro nëse mbërrin atje me kroçerë.

Tarifa do të jetë më e ulët, jo më shumë se 5 Euro, për pjesën tjetër të porteve. Synimi për këtë është që në ikonat e turizmit bregdetar të Greqisë të përthithin vizitorë elitarë me jahte, ndërsa të rriten vizitorët në zonat e tjera më pak të frekuentuara.

Tarifat do të jenë 40% më të ulëta në muajt Prill, Maj dhe Tetor, përkatësisht 12 dhe 4 Euro, ndërsa nga Nëntori deri në Mars, për dy hapësirat do të paguhet përkatësisht 4 dhe 1 Euro.

Tv Klan