Për të kuptuar situatën në Kosovë si pasojë e përhapjës së koronavirusit, në një lidhje me Skype për emisionin “Historia ime” në Tv Klan ishte mjeku infeksionist Ilir Tolaj.

Ai u shpreh se situata për momentin paraqitet relativisht e qetë dhe e menaxhueshme. Njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe po u përmbahen masave dhe rekomandimeve që po bëhen.

Ilir Tolaj: Situata është relativisht e qetë. Ne gjithsej kemi 13 raste deri tani të identifikuara, prej të cilave vetëm njëri është në një gjendje më të rëndë, ndërsa të tjerët janë në gjendje të mirë shëndetësire. Disa prej tyre nuk kanë fare shenjat e sëmundjes. Kështu që situata është e menaxhueshme ende.

Mirela Milori: Mesa di janë 7 pjesëtarë të një familjeje?

Ilir Tolaj: Janë 7 pjesëtarë të një familjeje dhe ajo që është shumë e rëndësishme që të përmendet është se të gjithë kanë patur lidhje me Italinë. Tani për ne burimi i infeksionit janë rastet që kanë qenë në Itali dhe janë kthyer në Kosovë. Po e kalojmë atë fazën e befasisë fillestare me disa masa të ndërmara që ndoshta janë edhe më të rrepta sesa mund të duhet, por më vonë do duhet të pajtohemi se kjo epidemi nuk mund të ndalet. Qëllimi jonë është ta shtyjmë në kohë sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të ballafaqohemi si sistem shëndetësor dhe shoqëri me të.

Mirela Milori: Si është situata psikologjike në Kosovë, tek njerëzit?

Ilir Tolaj: Kemi disa kategori të njerëzve, disa prej tyre nuk janë shumë të bezdisur nga këto raste dhe ndoshta si pasojë e jonjohurisë së tyre për pasojat e mundshme që mund të vijnë. Disa të tjerë janë më të shqetësuar dhe janë duke ju përmbajtur masave dhe rekomandimeve që po i bëjmë. Në përgjithësi vihet re një qetësi e përgjithshme, një stanjim i shoqërisë nga aktivitetet e përditshme edhe pse ne nuk kemi ndalesë të makinave, por vihet re një numër më i pakët në rrugë, ndërsa i personave, individëve vihet re një rënie jashtëzakonisht e madhe në rrugë./tvklan.al