Sipas një studimi të ri, fatkeqësitë natyrore siç janë zjarret e Australisë mund të bëhen më të zakonshme, nëse ngrohja globale rigjen një model të lashtë klimatik, të ngjashëm me “El Nino” në Oqeanin Indian.

Shkencëtarët thonë se nëse tendencat e tanishme të ngrohjes vazhdojnë, një Oqeani Indian “El Nino” mund të shfaqet në vitin 2050.

“El Nino” është një cikël klimatik në Oqeanin Paqësor, me një ndikim global në modelet e motit. Cikli fillon kur moti i ngrohtë në Oqeanin Paqësor zhvendoset në lindje, drejt bregdetit të Amerikës së Jugut. Përmbytjet, stuhitë dhe thatësira përkeqësohen dhe bëhen më të rregullta, duke prekur në mënyrë disproporcionale, ato popullsi që janë më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike.

Pedro DiNezio, nga Universiteti i Teksasit u shpreh: Hulumtimi ynë tregon se ngritja ose ulja e temperaturës mesatare globale, vetëm disa gradë bën që Oqeani Indian të funksionojë saktësisht njësoj si oqeanet e tjerë tropikalë, me temperaturë më pak uniforme, klimë më e ndryshueshme dhe me El Nino-n e saj.

DiNezio tha se ngrohja globale është duke krijuar një planet, i cili do të jetë krejtësisht i ndryshëm nga ai që shohim sot, ose nga ai që ne kemi parë në shekullin e 20-të. Gjetjet e fundit tregojnë se Oqeani Indian ka potencial për të shkaktuar ndryshime edhe më të forta klimatike.

Oqeanografi Michael Mcphaden, u shpreh se nëse emetimet e gazit serë vazhdojnë me tendencat aktuale, deri në fund të shekullit ndryshimet ekstreme të klimës do të godasin vendet që rrethojnë Oqeanin Indian, si Indonezia, Australia dhe Afrika Lindore./tvklan.al