Vjeshta është në prag dhe rënia e temperaturave do të na bëjë të veshim sërish xhinset. Por ky artikull nuk u dedikohet specifikisht llojeve të xhinseve, por këpucëve që kombinohen me to.

Xhinset janë të lehta për t’u veshur në përditshmëri apo për të dalë, por me këpucën e duhur mund ta bëni veshjen tuaj të ndryshojë tërësisht.

Këtë vjeshtë mund të provoni disa kombinime këpucësh dhe xhinsesh që do t’ju bëjnë të dukeni sikur keni kaluar orë të tëra para pasqyrës, por në të vërtetë, do t’ju duhen vetëm 5 minuta.

Këpucët me majë

Këpucët me majë u panë në të gjitha pasarelat, nga Prada te Valentino. Pak rëndësi ka nëse po vishni xhinse të gjera apo me prerje të drejtë, gjeni një palë këpucë me majë dhe dilni.

Shapkat

Njësoj si këpucët me majë, por në versionin pa mbërthyese apo lidhëse, këto lloj shapkash ishin trendi i papritur i kësaj vere. Miu Miu dhe Bottega Veneta ishin ndër promovuesit më të mëdhenj të tyre dhe asgjë s’do t’i bëjë kyçet e këmbëve të duken më hijshëm sesa ato, kombinuar me xhinse me prerje të  drejtë.

Mokasine

Mokasinet janë gjithnjë në trend për vjeshtën, por këtë vit theksi është te ngjyra kafe. Do të jenë detaji perfekt për t’i bërë xhinset të duken edhe më ‘cool’.

Leopard

Duhet të keni vënë re që në çdo dyqan mund të gjeni printin më në trend të momentit. Printi leopard s’del kurrë nga moda dhe fatmirësisht është shumë i lehtë për t’u kombinuar me xhinset. Mund të zgjidhni balerinat, këpucët me takë apo me majë dhe do të dukeni njësoj si vajzat e famshme.

Atlete

Zgjedhja më klasike, por atletet këtë vit sugjerohen më minimaliste dhe elegante pasi gjejnë hapësirë  për t’u kombinuar me çfarëdo.

/tvklan.al