Duka i Edinburgh dhe Mbretëresha Elizabeth II ishin të martuar prej 73 vjetësh deri ditën e vdekjes së Princit Philip të premten e këtij 9 Prilli.

Çifti u takuan për herë të parë kur ishin fëmijë, në vitin 1934, në dasmën e kushërirës së Princit Philip, Princeshës Marina me Princin George, Duka i Kent.

Në atë kohë, Philip-i i cili lindi në Korfuz, ishte Princi i Greqisë dhe Danimarkës. Ai ishte 13 vjeç, ndërsa Mbretëresha Elizabeth ishte 8 vjeçe.

Çifti u takua sërish 5 vjet më vonë, në 1939-n, në Kolegjin Datmouth Royal Naval. Princesha u tërhoq menjëherë nga pamja prej “vikingu” e Philip-it dhe skuqej sa herë që e shihte. Njerëz të afërt të Mbretëreshës tregojnë se që prej fillimit, ajo kishte qenë e dashuruar me Philip-in.

Pas takimit të tyre të parë, Elizabeth dhe Philip nisën të shkëmbenin letra, ndërkohë që ai ishte në shërbim në Flotën e Mesdheut dhe Paqësorit, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kur Philip-i u rikthye, ai i kërkoi babait të Elizabeth, Mbretit George VI, lejen për t’i propozuar asaj për martesë. Çifti njoftoi fejesën më 9 Korrik të 1947. Unaza u krijua nga Philip Antrobus, i cili përdori diamandë të marrë nga kurora e nënës së Philip-it, Princeshës Alice e Battenberg.

Martesa u zhvillua vetëm 4 muaj më pas, në një ceremoni të mbajtur në Westminster Abbey, më 20 Nëntor. Princesha Elizabeth ishte pjesëtarja e 10 e familjes mbretërore që martohej në Westminster Abbey, një vend që u zgjodh gjithashtu nga Duka dhe Dukesha e Cambridge për martesën e tyre në vitin 2011.

Përpara martesës, Princit Philip iu dha titulli Duka e Edinburgh, përpos dy titujve të tjera Earl i Merioneth dhe Baron Greenwich i Londrës.

Çifti ftoi 2 mijë persona në dasmën, që u zyrtarizua nga Kryepeshkopi i Canterbury, Geoffrey Fisher, dhe Kryepeshkopi i York, Cyril Garbett.

Fustani i Elizabeth u stilua nga Sir Norman Hartnell. Ai ishte i qëndisur me lule dhe yje, një frymëzim nga piktura Primavera e Boticelli-t. Me material prej mëndafshi dhe i dekoruar me 10 mijë perla të vogla që ishin importuar nga SHBA, fustani kishte gjithashtu një bisht 4 metra e gjysmë të gjatë.

Çifti festoi 70-vjetorin e martesës në vitin 2017. Për të shënuar këtë ditë ranë edhe kambanat e Westminster Abbey. Ata e festuan këtë përvjetor në një darkë familjare të rrethuar nga të afërm e miq, në Kështjellën Windsor.//tvklan.al