Banka Botërore konfirmon ekzistencën e një projekligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet. Në një reagim për televizionin Klan Plus, Banka Boterore thotë se i ka ofruar ekspertizë Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për draftin final të ligjit për sigurimet nga fatkeqësitë natyrore që i është paraqitur në fillim të vitit 2017 Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, AMF në një reagim zyrtar përmend Bankën Botëore si hartues të draftit që ajo e quan teknik. Sipas këtij autoriteti, që prej fillimit të vitit 2016, nuk ka zhvillime të reja lidhur me këtë draft dhe rekomandimet e dhëna nga ekspertët e Bankës Botërore. Sipas saj, çdo nismë ligjore që do të propozohet nga Autoriteti do të bëhet në transparencë të plotë me të gjithë grupet e interesit duke pasur në vëmendje mbrojtjen e të gjitha interesave të qytetarëve.

Banka Botërore në reagimin për Klan Plus vazhdon të përkrahë idenë e  sigurimit të detyrueshëm nga fatkeqësitë natyrore. Ajo thotë se është e rëndësishme që kompanitë lokale të sigurimit të menaxhojnë siç duhet akumulimin e riskut në mënyrë që pronarëve të shtepive t’u ofrohet mbulim i besueshëm dëmi. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes menaxhimit të procesit nga një operator kompetent dhe i pavarur i sigurimeve.

Banka Botërore thotë që ligji për sigurimin e detyrueshem të banesave është i rëndësishëm pasi në rast se mbulimi nuk bëhet i detyrueshëm, sigurimi vullnetar nuk shkon më shumë se 1-2% të shtëpive.

Ndaj AMF, sipas Bankës Botërore, duhet të finalizojë tarifat e primit të sigurimeve, që duhet të jenë lehtësisht të përballueshme nga qytetarët.

Një nga pikat më të nxehta të draft ligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave që pritet te hapë debat nëse do të shkojë për diskutim në parlament, është pika që i jep të drejtë kompanive të sigurimit të refuzojë mbulimin e sigurimit për objektet e ndërtuara në shkelje të kritereve teknike ose që rezulton të jenë modifikuar.

Po ashtu sipas draft ligjit një qytetar do të kontrollohet në procedurat e aktit të pronësisë, abonimet e ujit dhe energjisë elektrike dhe procedurat e kredisë për strehimm nëse e ka kryer apo jo sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Oliana Maloku

*Lajmet në Klan Plus mund t’i ndiqni çdo ditë në orën 20:00