Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar sërish pas situatës së tensionuar në veri këtë të premte.

“Cilësimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionit të saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’ është një ‘ftesë’ për Milan Radojçiçin e futur në listën e zezë të SHBA-së për të komanduar kriminelët e tij për të sulmuar policët e Kosovës”, tha Sveçla.

Sipas tij, çdokush duhet të sillet me përgjegjshmëri në këtë momente. Sveçla thekson se zgjedhja e balancuar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore pasi keqinterpretimi i realitetit mund të rezultojnë në kosto njerëzish.

“Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore. Keqinterpretimi i realitetit mund të rezultojë në kosto njerëzore”, tha ai.

Më herët, Sveçla uroi krerët e rinj të komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç për detyrën e tyre dhe përgëzoi policinë për punën.

“Ata do të vazhdojnë punën e tyre. Urime Policisë së Kosovës për profesionalizmin në mbrojtjen e institucioneve, shtetit ligjor dhe demokracisë nga grupet e organizuara kriminale”, tha Sveçla./tvklan.al