Skandal, i dënuari për pedofili emërohet mësues


Skandal, i dënuari për pedofili emërohet mësues

15:37 27/11/2021

Ministria e shkarkon pas reagimit të komunitetit

Emërimi i një mësuesi në shkollën “22 tetori” në Berat i cili ishte dënuar me 7 muaj burg në vitin 2003 për “ngacmim seksual të të miturve” ka vënë në alarm  komunitetin e prindërve dhe institucionet vendore. Bëhet fjalë për 61-vjeçarin Ëngjëll Bregu, mësues i lëndës matematikë – fizikë.

Skandali u bë publik nga prindërit e fëmijëve, që duke njohur të shkuarën e 61-vjeçarit kërkuan largimin e tij nga shkolla. Në vitin 2003 ishin disa nxënëse të shkollës 9 vjeçare “Uznovë” të Beratit që akuzuan dhe denoncuan mësuesin e tyre se i kishte prekur ato në pjesët intime gjatë një ekskursioni. Po menjëherë pas kryerjes së dënimit ai u rikthye të jepte mësim në një tjetër shkollë, pasi gjykata nuk ia hoqi të drejtën e punësimit në arsim.

Në vitin 2009 Ëngjëll Bregu akuzohet sërish për sjellje të pahijshme ndaj fëmijëve dhe me kërkesë të një grupi të prindërve drejtuar Zyrës Arsimore Berat, për të, aprovohet pezullimi nga puna. Pas 13 vitesh mungesë ai ju rikthye mësimdhënies vetëm 1 javë më parë, por hasi në rezistencën e prindërve.

Pas publikimit të skandalit në media Zyra Arsimore Berat shkarkoi nga puna 61-vjeçarin, ndërsa nga Ministria e Arsimit thonë se ka nisur një hetim administrativ për të gjetur personat përgjegjës që kanë lejuar punësimin e tij.

Në reagimin e saj Minisria e Arsimit thuhet po ashtu se ky rast do të shërbejë për të rishikuar menjëherë bazën ligjore për të forcuar kriteret e punësimit apo shkarkimit të mësuesve.

Tv Klan








Të ngjashme