Rreth 6 mijë fermerë kanë aplikuar pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural për të përfituar nga Skemat Kombëtare Mbështetëse të buxhetit të shtetit. Kjo ka ardhur falë bashkëpunimit të AZHBR me 200 studentë të Universitetit Bujqësor Tiranë, që u përfshinë në fushatën e promovimit për subvencionet.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në një fermë në dalje të Tiranës, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca nënvizoi planin ambicioz të qeverisë për rritje të kapaciteteve dhe përfshirjen e të rinjve studentë në përgatitjen e kapaciteteve përthithëse për fondet në dispozicion të fermerëve shqiptarë.

“Fondi i bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare dhe BE është 93 milionë Euro dhe ka si objektiv përthithjen në maksimum nga fermerët shqiptarë”,

deklaroi Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR.

Ndërsa ofroi mbështetje për studentët e agroturizmit, Krifca tha se do të ketë të tjera fushata promovimi për fermerët.

Sipas Krifcës vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2018, pranë Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural kanë aplikuar 30 % më shumë fermerë se në vitin 2017, për të përfituar nga skemat mbështetëse.

Tv Klan