Dënimi ndaj klubit bardhekuq ishte 10 vite pezullim në kompeticionet europiane

UEFA ka ndryshuar vendimin për dënimin e Skënderbeut. Më 12 Korrik 2019, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la në fuqi dënimin fillestar për bardhekuqtë me 10 kualifikime pezullim në kompeticionet europiane si edhe 1 milionë euro gjobë.

Por dënimi i institucionit numër 1 të futbollit europian është ndryshuar nga “10 vite për çdo kualifikim në Europë”, në thjesht “10 vite”.

Referuar dënimit të parë, 10 mospjesëmarrje në kompeticionet europiane do të thotë që bardhekuqtë, duhet patjetër që të siguronin një vend në Kupat e Europës çdo vit që t’i njihej më pas shlyerja e dënimit.

Ndërsa me dënimin e dytë, duhet vetëm që të kalojë kjo periudhë kohore e klubi korçar nuk është i detyruar që të sigurojë një vend në kompeticionet europiane.

Kur drejtuesit e klubit korçar pyetën qeverinë europiane të futbollit zyrtarisht se edhe sa vite dënim u ka mbetur për të shlyer, përgjigja ishte “pesë”.

Klubi shqiptar u dënua në Korrik të vitit 2016 me mospjesëmarrje në Ligën e Kampionëve, duke u cilësuar i papërshtatshëm deri në mbylljen e hetimeve të ngritura nga UEFA, ndërsa në Mars të vitit 2018, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi dënimin e rëndë për klubin, që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.

Por shanset janë që drejtuesit korçarë të kërkojnë sërish ulje të dënimit, referuar rregullave të UEFA-s.

Klan News