SPAK merr zyrtarisht të pandehur Fatmir Mediun



SPAK merr zyrtarisht të pandehur Fatmir Mediun

15:20 28/10/2021

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal per ish-ministrin e Mbrojtjes

Regjistrohet procedimi penal nga SPAK për dosjen Gërdeci. Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 Mars 2008. Nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën afro 300 të tjërë.

Prokuroria ka regjistuar çëshjen penale në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për dy vepra “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara në Kodin Penal Ushtarak.

Klan News kontaktoi avokatin e Mendiut, i cili bëri me dije se ende nuk ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Në vendimin e arsyetuar togat e zeza të Apelit theksonin se Fatmir Mediu nuk është gjykuar asnjëherë për çështjen e Gërdecit.

Po ashtu në vendim thuhet se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.  Një tjetër argument që u përdor nga gjykata është edhe fakti që Mediut iu hoq imuniteti në vitin 2012, çka i hap rrugën gjykimit. Po ashtu rënia e imunitetit është vlerësuar si fakt i ri për gjykatën.

Ishin familjarë të e Edison Durdajt, 7-vjeçarit që humbi jetën si pasojë e shpërthimit që e vendosën në lëvizje SPAK për të rihapur dosjen Gërdeci. Çështja ndaj Mediut u mbyll më 14 Shtator 2009, kur ai u rizgjodh deputet pasi avokatët mbrojtës në atë kohë argumentuan se hetimi ndaj tij bëhej vetëm pas autorizimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit.

Tashmë është në dorë të SPAK nëse do të kërkojë që ndaj Fatmir Mediut të caktohet masë sigurie apo procesi do të zhvillohet, duke qenë ish-ministri i Mbrojtjes në gjendje të lirë.

Klan News








Të ngjashme