Më 1 Korrik do të lejohen turistë edhe nga jashtë hapësirës

Këta janë të parët udhëtarë që në aeroportin e Madridit po lëvizin pa kufizimet e pandemisë së koronavirusit që u vendosën më 14 Mars. Autoritetet spanjolle vendosën të rifillojnë fluturimet me shumicën e vendeve të hapësirës së përbashkët europiane të lirisë së lëvizjes Shengen, duke hequr për shtetasit nga këto vende, karantinën 2-javore. Shumë prej tyre nuk e fshehin entuziazmin që do të mund të rikthehen në familjet e tyre.

“Situata ime ishte pak e komplikuar pasi bashkëshortja jeton në Itali e unë në Spanjë dhe s’jemi parë prej 4 muajsh”, tha një person.

Zyrtarët e aeroportit të Madridit janë kujdesur për zbatimin rigoroz të masave të distancimit social. Mes masave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për lëvizjen, janë kontrolli i temperaturës, prej të cilit zbulohen shenjat e para të Covid-19 e deri tek itinerari i saktë që do të ndjekin të huajt që hyjnë në vend, për të gjurmuar më mirë kontaktet e tyre në rast infektimi.

Deri më 1 Korrik pritet të përpilohet një listë e zgjeruar edhe me vendet jashtë Schengenit, prej të cilave Spanja do të presë turistë. Hapja e kufijve do të bëhet mbi bazën e situatës së koronavirusit që paraqet çdo vend. Spanja është ndër vendet e fundit në Bashkimin Europian që ende nuk i ka hapur plotësisht kufijtë me zonën Schengen.

Tv Klan