Kur studentët e mjekësisë mbarojnë fakultetin, punojnë 4 vjet nëpër specialitete të ndryshme për t’u kualifikuar në një specialitet të caktuar. Gjatë kësaj periudhe ata marrin rrogë për punën që bëjnë. Në fund ata japin provim ku quhen përfundimisht mjekë të një specialiteti, por kohët e fundit specializantëve të mjekësisë u ka ardhur kërcënimi se po nuk i paguan Ministrisë së Arsimit 100 mijë lekë të vjetra në vit, nuk do të hyjnë në provim. Shuma që u kërkohet është më e madhe se rroga e një muaji.

Sekretaria u ka thënë se ka një vendim të ministrisë për këtë shumë, por vendimin askush nuk ta tregon dhe studentët nuk e dinë se ku do të shkojnë paratë e tyre. Ata shprehen se kjo shumë që paguajnë është taksë regjistrimi. Ndërsa vetë Ministri i Arsimit Et’hem Ruka thotë se nuk di gjë për një vendim të tillë.

“Ministri nuk mund t’i dijë të gjitha gjërat sepse ka 50 mijë punonjës, 40 mijë studentë dhe kaq shumë aktivitete bëjnë që të mos të mbahen mend të gjitha këto hollësira.”

Informacioni mbyllet këtu. Në Ministrinë e Arsimit tregojnë se kompetente për këtë çeshtje është një drejtoreshë e cila është me leje dhe specializantëve vendimin ua ka thënë një sekretare e fakultetit, por dhe ajo është me leje./tvklan.al