Deklarata e Ramës në cilësinë e kreut të OSBE-së

Bota ka përkujtuar 25 vjetorin masakrës së Srebrenicës, ku forcat serbe vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë, kryesisht myslimanë. Në Bosnje u organizua një ceremoni e posaçme në nderim të viktimave të kësaj masakre, ndërsa nuk munguan as mesazhet nga personalitetet e ndryshme të kohës, të cilët dënuan genocidin serb ndaj popullsisë së pambrojtur boshnjake. Mesazhe përcollën edhe politikanët shqiptarë, të cilët bënë thirrje që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në zemër të Europës.  

Duke shprehur respektin e tij ndaj viktimave boshnjake të genocidit të Srebrenicës në 1995, Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetari të OSBE-së, deklaroi se shoqëria duhet të dalë përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojë nga leksionet që sjell historia.

Në mesazhin e tij të publikuar edhe nga zyra e OSBE-së, Kryeministri Rama shpreh trishtimin dhe shqetësimin për një prirje në rritje për të rishkruar historinë e krimeve që u shpalosën në Srebrenicë dhe zonat përreth, në verën e vitit 1995.

“Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që po bëhen përsëri. Gjyqtarët lokalë dhe ndërkombëtarë kanë dokumentuar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj në vitin 1995. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë. Mosndëshkimi nuk është opsion”, tha ai.

Kreu i OSBE-së, thekson në deklaratën e tij se mosndëshkimi i krimeve të ndodhura në Srebrenicë solli që vetëm pak vite më vonë të njëjtat krime të përsëriteshin sërish.

“Ne gjithmonë themi se Srebrenica nuk duhet të përsëritet kurrë, por vetëm disa vite më vonë pati një konflikt shkatërrues në Kosovë. Përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer”, përfundon reagimi i Kryeministrit Rama.

Një mesazh për 25 vjetorin e kësaj masakre përcolli edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili thekson se është detyrë e shoqërisë së sotme që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë.

Tv Klan