Ngërçi i krijuar nga mos arritja e dakordësisë mes maxhorancës dhe opozitës, për një pikë të vetme të draftit të Reformës në Drejtësi, ka bërë që vizita e Ministrit të Jashtëm gjerman në Tiranë të fokusohej vetëm tek kjo çështje. Kryediplomati Steinmeier i bën apel palëve që ta mbështesin këtë reformë, si domosdoshmëri për të çelur negociatat e anëtarësimit në BE në Vjeshtë.

“Nuk është sekret të them që Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme të anëtarësimit në BE. Në Vjeshtë do të shqyrtohet nëse Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj, për të nisur procesin e negociatave të anëtarësimit. Shpresoj shumë që forcat politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për të plotësuar detyrimet e që vendi ka si pjesë e procesit të integrimit përmes përmbylljes së Reformës në Drejtësi. Jemi në një pikë ku Shqipëria s’ka qenë asnjëherë tjetër më parë. Shpresoj që forcat politike të marrin vendimet e duhura në këtë kontekst. Duhet dhe mbështetja e opozitës pasi besoj se është në interes të gjithëve, përfshirë dhe opinionit publik që ajo të përmbyllet sa më shpejt”.

Kryeministri vlerëson kohën kur ndodh vizita e Ministrit Steinmeier, pasi për të investimi i Gjermanisë në hartimin e draftit të Reformës në Drejtësi është i pakursyer.

“Vizita e Ministrit Steinmeier edhe për momentin kur gjendemi. Moment historik për një reformë historike që duke kaluar me sukses në parlament, do të çelë rrugën e negociatave për Bashkimin Europian, gjë për të cilën Gjermania në radhë të parë,  ka investuar shumë seriozisht”.

Takimi i kryediplomatit gjerman me Kryeministrin, erdhi pas takimit me kryetarin e Demokratëve, Lulzim Basha. Më qartë në apelin që ai i bëri klasës politike në Tiranë, ishte në konferencën për shtyp me homologun e tij, Ditmir Bushati.

“Ajo që është tashmë në tryeze është një projekt që do të kujdeset për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe do të krijoj premisa për luftën kundër korrupsionit. Agresiviteti nuk mbështet vendimmarrjen. Reformat kanë kosto që mund të reflektohen dhe në zgjedhje, por edhe në opozitë nuk mund të vihet në pushtet duke refuzuar gjithçka. Një qeveri duhet të marrë risqet përkatëse për reformat, po ashtu edhe opozita nuk duhet të mendojë për avantazhe afatshkurtra, por për ato afatgjata për të mirën e vendit. Debati për Reformën në Drejtësi ashtu si në futboll duhet të zhvillohet në fair play”.

Diplomacia dhe politika nuk kanë mundur të sfumojnë dhe diskutimet sportive në një kohë që kampionati europian sapo ka nisur në Francë. Ndaj Steinmeier nuk ka asnjë kompleks që të pranoi se fitorja e Gjermanisë në ndeshjen me Ukrainën ishte dhe për meritën e shqiptarëve.

“Ne ndjekimin me vëmendje çka ndodh në Shqipëri dhe Shqipëria ndiqet me vëmendje dhe për shkak të golit të shënuar në Europian nga një shqiptar, Shkodran Mustafi”.

Tv Klan