Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.
Çfarë shfrynë shqiptarët në fletët e votimit dhe fituesja e pakontenstuar
Pas zgjedhjeve të së dielës, vazhdojnë të publikohen fletë votimi, ku qytetarët shqiptarë nuk kanë votuar asnjë kandidat, por kanë shprehur revoltën dhe indinjatën e tyre mbi fletën e votimit.Një histori suksesi vjen nga Italia.31 vjecarja shqiptare Sindi Manushi, është shqiptarja e parë, që zgjidhet kryetare bashkie në vendin fqinj. Ajo ka fituar komunën Pieve di Cadore. Sindi Manushi ka lindur në Elbasan, dhe para 22 vitesh ka mbërritur në Itali me familjen.
Agjencia i merr qytetarit 4500 Euro për letra polake e zhduket
Një qytetar u lidh me një faqe në Facebook që i premtoi dokumentacion për Poloni kundrejt një shume parash dhe u mashtrua. Është ky rasti që trajtoi sonte emisioni Stop në Tv Klan.
Qytetari tregon se filloi të komunikonte me të dhe iu tha se procedura kryhej brenda 3 muajve dhe pagesa ishte 4500 Euro, ku 3500 jepeshin në fillim dhe 1500 Euro pasi të realizohej pajisja me dokumente. Faqja në fjalë është “Eni Eu” dhe poston vetëm për këtë gjë.
Qytetari: Një ditë pashë një njoftim në Facebook edhe kishin postuar aty që pajisnin me dokumente polake brenda 3 muajve, me të drejtë pune në të gjithë Europën. Unë si i interesuar, i kontaktova. Ata më thanë që brenda 3 muajve ti merr dokumentin në dorë. Brenda dy muajve, ty do të vijë një dokument nga Polonia, e përkthyer në 3 gjuhë të ndryshme, gjermanisht, anglisht dhe në gjuhën polake, që mund të shkoja pa pengesa. Nëse do më ndalonte policia, unë s’do kisha pengesa rrugës.
Kundrejt 4500 Eurove ndërkohë që 3500 Euro duhet t’i paguaja kështu paradhënie dhe pastaj 1500 Euro pasi të pajisesha me dokumente.
Qytetari tregon se paratë u dorëzuan tek agjenti. Shuma ishte 3500 Euro dhe disponojmë videon që i janë dorëzuar paratë.
Qytetari: Duhet të shkoja vetë personalisht për të dhënë shenjat e gishtave atje dhe pastaj do prisja diku 20 ditë për të më ardhur dokumenti.
Pa u përmbushur afati, agjenti u dorëzua, pasi vazhdimisht thoshin se ka vonesa dhe tha se procedura nuk mund të kryhej dhe paratë do të ktheheshin.
Qytetari: Ato thonë që ka vonesa, jo kanë ndërruar zyrat, jo këtej jo andej. Domethënë unë dyshoj, që ata po gënjejnë. Po më kanë thënë dhe e kemi pas si datë, në datë 6 prill dhe pastaj e shtyu më datë 16 Prill edhe asgjë. Besoj, se ata s’kanë zyra. Operojnë vetëm me anë të rrjeteve sociale, takohen privatisht, nëpër kafe.
Por paratë nuk i mori kurrë, pasi data e dorëzimit vetëm shtyhej. Agjenti i thotë se do t’ia kthejë vetë personalisht mbrapsht paratë.
Agjenti: Do mundohem t’i gjej sa më shpejt, sepse kam shumë stres nga kjo pjesë, të them të drejtën.
Qytetari: Po mirë, a the është e fundit për sot në orën 3?
Agjenti: Më ka ikur tjetri (bashkëpunëtori) në Itali mo burrë, më ka fik fare.
Qytetari: Po unë, çfarë duhet të bëj tani?
Agjenti: Ti nuk ke faj fare, përgjegjësinë e kam unë deri në fund. Unë do t’i gjej! Toka me qiellin të bashkohen, unë do t’i gjej.
Qytetari: Domethënë, ti pret t’ia marrësh dikujt tjetër, të m’i japësh mua?
Agjenti: Robve të mi, shoqërisë time do i marr.
Gazetarja e Stop zhvilloi një bisedë me agjentin, dhe ky i fundit tregon se punoi vetëm 1 muaj e gjysmë dhe kjo ishte kontrata e parë. Ai shprehet se ka shumë faqe në Facebook, Instagram dhe TikTok që kanë të njëjtën praktikë. Ai tregon, se emrat në faqet e Facebookut që përdorin janë false.
“Unë jam personi që ka bërë kontaktin me denoncuesin. Tani po tregoj se si ka ndodhur tamam. Unë jam interesuar vetë për dokumente. Nga biseda e panë se isha i interesuar dhe në fund fare më thanë që do të ofrojmë dhe një punë kundrejt pagesës. Faqja ka qenë Eni EU, që do të thotë kanë edhe faqe të tjera siç më kanë thënë, por kjo ishte më aktivja. Emrat i ndryshonin, nuk mbanin të njëjtët. Emri i parë fare ka qenë Tani. Pas kësaj e ka bërë Eni, pas Eni e ka ndryshuar Enxo, Eni prapë. Pagesa ishte 600 Euro në muaj dhe 100 Euro për kontratë që mund të bëje me personin në fjalë që interesohej. Për 1 muaj e gjysmë punova. Jo vetëm Facebook, por edhe në Instagram, edhe nëpër rrjetet e tjera, TikTok njëherë është bërë mani shumë e madhe, por në Facebook bashkëpunojnë më tepër faqe që janë grupe në të cilat informohen më shumë. Pjesa kryesore është se në Facebook funksionojnë shumë edhe janë akoma faqe të tjera që e bëjnë të njëjtën skemë. Unë vetëm 1 kontratë kisha bërë. Vetëm 1 kontratë edhe ajo ishte stresi më i madh. Në momentin që kryhej pagesa, ata vetëm vinin, paraqiteshin dhe thonin je shoku i filanit? Po. Kam ardhur për atë punë. As emër nuk jepnin asnjë gjë, çdo gjë normale se kishte informimin kush isha unë”.
Përmes gazetares së emisionit “Stop”, agjenti ktheu një pjesë të parave, 1900 Euro, ndërsa pjesa tjetër u la për në datën 20 Maj.
“Unë kam shlyer 1900 Euro tek personi që ka bërë denoncimin në këtë rast dhe deri më datë 20 kam për të shlyer dhe pjesën tjetër 1600 Euro”.
Një pjesë të parave i mori mbrapsht personi i mashtruar, ndërsa mbetet për t’u kthyer edhe 1600 Euro.
Vogëlushja 14 muajshe me probleme në zemër, operohet në Itali
Emisioni Stop transmetoi në muajin Prill rastin e vogëlushes Esmeralda Halilaj nga Picarë, Vlorë. Ajo është 14 muajshe në luftë për jetën, si pasojë e një problemi në zemër shumë kompleks e të rëndë.
Operacioni i saj, që kushton 20.000 Euro u mundësua nga emisioni “Stop” dhe fondacioni “Fundjavë ndryshe”.
Koston e mori përsipër “Fortis Beton” dhe Orest Sota. Mamaja e Esmeraldës tregon nga Italia se vogëlushja është operuar dhe pritet rekuperimi.
Stop/ 10-vjeçari që nuk rritet, klinika Kohav ofron analizat falas për vogëlushin
Në 17 Mars emisioni Stop në Tv Klan transmetoi një rast të trishtë në familjen Ruqja në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Bukurie Ruqja me 5 fëmijë tregoi se djali i vogël ka një sëmundje që nuk rritet. Ai është 10 vjeç, por zhvillimi ka mbetur në moshën 6-vjeçare.
Analizat dhe vizitat kushtojnë shumë dhe 400 mijë Lekë bëjnë vetëm gjilpërat për të. Emisioni Stop dhe “Fundjave Ndryshe” e ndihmuan me ndihma ushqimore, batanije dhe veshje familjen me mundësi të kufizuara. Pas këtij transmetimi, klinika Kohav ka ndihmuar me analiza djalin që nuk zhvillohet. Doktor Ardi Prushi shprehet se pasi pa rastin, klinika është e gatshme të ofrojë për djalin kryerjen e analizave në mënyrë periodike dhe falas.
“Pasi u njoha me rastin e djalit i cili ka probleme me zhvillimin dhe në rritjen e tij, dhe duke parë që e ëma shprehej për pamundësinë për të kryer këto analiza sepse janë relativisht të kushtueshme, ne si klinika Kohav vendosëm që këto analiza të mund t’i ofrojmë falas për djalin në mënyrë periodike dhe sa herë ata do e kenë të nevojshme dhe kur të kërkohen nga mjeku kurues i djalit”, u shpreh mjeku Ardi Prushi. /tvklan.al