Stop – Emisioni 198 (sezoni 5)



Stop – Emisioni 198 (sezoni 5)

20:02 03/06/2020

Kosova me qeveri te re/Shqiperia ne negociatat e reformes zgjedhore.

Parlamenti i Kosovës miratoi sot me 61 vota qeverinë e re të kryesuar nga Abdullah Hoti i LDK-së.Në Tiranë politika shqitare “u internua” mbrëmë 9 orë e rinisi sot odisenë e negociatave në rezidencën e Ambasadës Amerikane, në përpjekje për dakordësi për reformën zgjedhore.FRPD protestoi sot para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar edhe largimin e ministres Besa Shahini, pas skandalit të abuzimit të rojes së shkollës në Babrru me një nxënëse të mitur 15 vjecare.

Gramsh/Merr leje riparimi e ben ndertim te ri pa leje ne kuroren e gjelber.

Në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një denoncim nga Gramshi për qytetarin Hamit Lumshi. Ky i fundit ka aplikuar për një leje riparimi në Zyrën e Urbanistikës Gramsh, por ka ndërtuar një godinë të re pa leje në zonën e Kurorës së Gramshit.Për këtë problematikë iu drejtuam Bashkisë Gramsh, konkretisht Zyrës së Urbanistikës dhe drejtori,Ali Cohodari,thotë, se nuk ishte në dijeni për një ndërtim të ri, por thjesht për leje riparimi në banesën ekzistuese. Ai na drejton tek IMT-ja, pasi ajo kontrollon, nëse qytetarët zbatojnë kriteret e lejes së dhënë.Kryeinspektori Alban Rrodhe shprehet, se do ta verifikojë situatën dhe do të marrë masa, nëse është ndërtim pa leje. Sipas tij, objekti do të prishet dhe personi do të ndiqet penalisht.Pas kryeinspektorit vumë në dijeni kryetarin e bashkisë së Gramshit Klodian Tace, i cili tha, se do të ngrihet një komision dhe personi do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë kundravajtje penale.Por në këtë pikë inspektori i shërbimeve në njësinë administrative Pishaj kontakton gazetaren e “Stop” dhe jep versionin gjenial, se gjithcka është bërë për arsye humanitare, pasi Hamit Lumshi është invalid dhe i pastrehë.

Lezhe/Pallati pa demtime do te shembet, bashkia bllof me evakuimin e banoreve.

Problemet me akt ekspertizat e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit vazhdojnë të jenë prezente. Pjerin Fran Gjoni nga Lezha dhe disa banorë të tjerë, ankohen, se edhe pse pallati i tyre nuk ka dëmtime, përsëri është vendosur të shembet.Një ditë të bukur iu është thënë nga Bashkia, se pallati do të shembet në muajin qershor me urdhër nga lart. Në pallat në fakt nuk duket asnjë shenjë dëmtimi dhe banorët as janë zhvendosur prej aty, e as janë trajtuar me bonus qiraje.Për problemin e tyre jemi drejtuar në bashkinë e Lezhës dhe nënkryetari, Ermal Pacaj, thotë, se ka shkuar ekspertiza e thelluar nga Instituti I Ndërtimit dhe vlera e rikonstruksionit e kalon vlerën e ndërtimit nga e para. Sipas tij pallati do të shembet, pasi ka dalë i dëmtuar në strukturë. Pacaj thotë, se banorët janë evakuar, por në fakt ata nuk kanë lëvizur asnjë ditë nga shtëpitë e tyre.



Të ngjashme