STOP – EMISIONI 24 (SEZONI 4)

Emision: 04.10.2018

Skandali në “Stop”, hetim personave të kapur nga kamera e fshehtë.

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Stop” u transmetuan me zë dhe figurë punonjësit e policisë, duke shitur pjesët e këmbimit në ofiçinën e policisë me para nën dorë.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka nisur hetimet për dy punonjës të Qendrës së Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit.

Dy mekanikët me inicialet N.H. dhe D.R. po hetohen për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ndërsa punonjësi i repartit të ceremonialit, me inicialet B.K., për shpërdorim detyre.

Materialet dhe provat i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme ligjore.

Korcë, punonjësit e sigurimeve u zhvasin banorëve 28 milionë lekë.

Disa banorë të fshatit Zvezdë të Korçës denoncuan në emisionin “Stop” vjedhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Një banor u shpreh: “Prindërit donin të paguanin sigurimet për pensioni. Njohëm një person këtu që punonte te sigurimet, i cili u nxorri nga 12 vite punë, 2 milionë e 600 mijë lekë për të paguar për person. I dhamë lekët dhe pas 1 jave na solli një vërtetim pagese dhe të viteve të punës, të cilat dolën false. Lekët nuk ishin hedhur në shtet, por i kishin mbajtur vetë”.

Ndërsa një tjetër tha: “Edhe unë si të gjithë shokët e kuptova mashtrimin te sigurimet, ku pamë që nuk ishin hedhur lekët”.

Ata i kanë dhënë punonjësit të sigurimeve Ardit Shpati paratë për t’i derdhur si kontribute private, por librezat janë vulosur dhe paratë nuk janë derdhur.

Punonjësi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, që u grumbulloi paratë banorëve, prej 2 muajsh është larguar nga detyra. Në një bisedë të regjistruar Ardit Shpati tha se nuk i ka mbajtur ai paratë, por çdo gjë e ka bërë me shefin e kontributeve që kishte dhe vulën.

Ardit Shpati: Ore tani si mendon? E kam bërë unë?

Qytetari: Ti i merrje lekët e i jepje atij?

Ardit Shpati: Ia jepja atij, bre vëlla tani! Si e merrja vërtetimin? Si e firmosja unë?

Qytetari: Ja dorëzoje drejtorit?

Ardit Shpati: Shefit të kontributeve. Ai më thoshte mua kshu, kshu… Unë ia jepja lekët, ai më jepte vërtetimin.

Qytetari: Po mirë, nuk ka ai lekë që të na i kthejë mbrapsht?

Ardit Shpati: Ore, i kam thënë, i kam vajtur dhe në shtëpi. Madje i vajta në shtëpi dhe e kërcënova. Nuk i kam ngrënë unë tërë këto lekë, bre!

Qytetari: Ke marrë 5 milionë e 200 mijë në dorë.

Ardit Shpati: Ore, pse tani, s’e di unë?! Mua më jepte vërtimin.

Qytetari: Ç’është ai mirëbesim? Si e merr atë iniciativë?

Ardit Shpati: Dorëzoje vërtetimin ti, dija unë sesi m’i bënte mua gjërat, mua ashtu ai. E di sa është shuma? Rreth 25 milionë lekë.

Pas pohimit të Ardit Shpatit për mashtrimin në bashkëpunim, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të pyetur se kush do ta paguajë dëmin e shkaktuar.

Drejtori i ISSH Korçë, Ilirjan Bajlozi shpjegoi se punonjësit e këtij institucioni kanë shfrytëzuar aksesin për përdorimin e vulës, ndaj dhe e kanë shfrytëzuar për të mashtruar banorët.

“Vërtetë jemi para një situate të vështirë. Ardit Shpati, i cili ka qenë në detyrën e inspektorit, ka bërë një mashtrim duke iu marrë lekë banorëve dhe duke falsifikuar dokumentet zyrtare në bashkëpunim me kryetarin e Degës së Kontributeve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Korçë. Kemi bërë kallëzim penal për Kristaq Katundin në prokurori”, u shpreh kreu i ISSH.

Personat e prekur nga skema e mashtrimit janë 28 dhe dëmi financiar ka arritur vlerën e 28 milionë lekëve të vjetra. Ai shtoi se Ardit Shpati dhe Kristaq Katundi janë pushuar nga puna për mosrealizim të detyrave të tyre, pasi skema e ndërtuar prej tyre nuk lejonte ngritjen e dyshimeve.

Ilirjan Bajlozi tha se pasi të zbardhet çështja, ISSH do të marrë një vendim se çfarë do të ndodhë me paratë e banorëve.

Konvikti i inxhinierisë le jashtë studentet e strehon të punësuarat.

Studentet e Inxhinierisë dhe Sporteve u ankuan në “Stop” për konviktin, pasi nuk gjejnë vende për të banuar siç u takon. Edhe pse kanë qenë më parë me dhoma, kur shkuan për të rinovuar kontratën iu thanë se vendet janë zënë.

“Unë kam 2 javë që kam bërë një kërkesë që të qëndroj te ky konvikt. Më thonë që nuk ka vende”, u shpreh një studente.

Vajzat treguan se në konvikte strehohen edhe të punësuara, duke mos i dhënë përparësi studenteve të Inxhinierisë dhe Sporteve.

Një tjetër studente tha: “Unë kam 5 vite aty dhe po më nxjerrin jashtë. Ne kemi disa të drejta dhe nuk mund të na nxjerrin kështu”.

Madje një prej studenteve regjistroi me zë një vajzë tjetër, që mundi të siguronte dhome në konvikt vetëm duke dhënë para.

Vajza 1 – Ça bëre për konviktin, o goc?

Vajza 2 – U regjistrova!

Vajza 1 – Mbarove punë?

Vajza 2 – Mbarova!

Vajza 1 – Po, si u regjistrove?

Vajza 2 – Me lekë!

Vajza 1 – Me lekë?

Vajza 2 – Po, mi!

Një studente e Universitet të Arteve shtoi: “Me lekët që kam paguar jam brenda Shtatorit dhe në datën 30 duhet të liroj dhomën. Unë rinovova kontratën dhe më thonë që dhoma ime është e zënë. Si është zënë dhoma kur unë jam brenda akoma?!”

Studentet kërkuan takim me drejtoreshën, pasi sipas tyre, nuk i njohin as fytyrën.

E ëma e një prej studenteve e shqetësuar tha: “Unë kam ardhur kastile për të regjistruar vajzën, ata na kanë livadhisur. Të tallen me ne se jemi hallexhinj dhe s’kemi të ardhura?”

Në një përballje mes tyre dhe përfaqësuesit të Drejtorisë së Konvikteve, ky i fundit tha se kapaciteti prej 540 personash është plotësuar.

“Regjistrimet kanë filluar në datën 24. Normalisht ne jemi me dy godina funksionale, pasi dy të tjera janë në rikonstruksion. Kemi përmushur të gjitha kapacitetet e nevojshme për të mbajtur studentet e Inxhinierisë”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarja nëse ka studente të universiteteve të tjera, përfaqësuesi i konviktit tha që primare janë studentet e universiteteve që janë pranë konviktit.

Ndërsa pretendimit të një studenteje që ka në dhomë një vajzë që nuk është më studente, ai iu përgjigj: “Do të shqyrtohen. Nuk e di për këto raste”.

Pra studentet do të ngelen rrugëve, derisa konvikti të shqyrtojë kontratat që ka lidhur me persona që nuk janë më studentë.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*














Emisione