Një studente e cila ka gjetur 1.000 Paund brenda një palë atletesh që bleu online, vendosi t’i kthente paratë brenda gjysmë ore. Studentja Ella Gilman 19 vjeç, u trondit kur gjeti paratë e futura në një zarf në një nga këpucët që sapo kishte blerë.

Ella, e cila studion në Universitetin Metropolitan të Manchesterit, menjëherë telefonoi vajzën nga e cila bleu atletet. Laura Hazeldine ngeli pa fjalë kur Ella e kontaktoi atë për ta njoftuar se kishte futur gabimisht një shumë të konsiderueshme parash te porosia e saj. Pasi i kërkoi detajet e saj bankare, Ella i dërgoi paratë në bankë, 25 minuta më vonë.

Laura tha se donte ta falenderonte publikisht dhe shtoi se veprimi i studentes e ndihmoi atë të besonte sërish në vlerat e njerëzimit.

Laura i kishte kursyer paratë por nuk kishte pasur kohë të shkonte t’i fuste ato në bankë. Kështu ajo i kishte fshehur paratë në një vend të sigurt në shtëpinë e saj, më pas kishte harruar ku i kishte lënë.

Laura tha: “I fsheha paratë në shtëpi dhe isha e bindur se i kisha humbur ato. Ajo m’i riktheu brenda 25 minutash, jam pa fjalë! Ndershmëria dhe integriteti i saj më kanë bërë të besoj se ka njerëz të mirë në këtë botë”./tvklan.al