Ukraina është një kundërshtar i vështirë ashtu si të gjithë skuadrat në grupin e Ligës së Kombeve, pasi kanë qenë pjesëmarrëse në Euro 2024. Kështu deklaroi Sylvinho në konferencën një ditë para ndeshjes që do të luhet mbrëmjen e së shtunës në Pragë. Ai thotë se pret një sfidë të hapur dhe teknike.

“Kur flasim për Ukrainën flasim edhe për grupin. Një grup tepër i vështirë, të gjitha skuadrat kanë luajtur në Europian. Ne duhet ta marrim seriozisht. Unë mendoj që do të jetë një ndeshje teknike, e hapur dhe me tranzicion, pasi kundërshtari ka një kundërsulm shumë mirë, por edhe ne kemi cilësi. Gjithmonë mendohet për fitore. Ne do futemi në fushë për të luajtur shumë fortë dhe për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje”.

Trajneri thotë se të gjithë lojtarët e grumbulluar i ka në dispozicion për këtë sfidë.

Ylber Ramadani sqaron se përgatitjet janë bërë për të dalë me një rezultat pozitiv në fund.

“E kemi studiuar Ukrainën shumë mirë dhe i dimë pikat e forta. Jemi duke punuar shumë dhe shpresojmë të marrim rezultat pozitiv”.

Përveç stërvitjes të mbajtur pasditen e së premtes në stadiumin e përballjes është parashikuar edhe një përgatitje e lehtë disa orë para takimit. Sfida hapëse e Ligës së Kombeve me Ukrainën që do të transmetohet në Tv Klan do të jetë e shtata. Shqipëria ka vetëm 1 barazim në vitin 2005 me këtë kundërshtar, ndërsa përballjet e tjera kanë përfunduar me humbje.

Tv Klan